Franca do të ndihmojë Autoritetin Palestinez të hartojë një kushtetutë për një shtet të ardhshëm, ka thënë presidenti Emmanuel Macron të martën pas bisedimeve me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas në Paris.

Një numër vendesh të mëdha perëndimore, përfshirë Francën, kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, një veprim i nxitur nga frustrimi me Izraelin për luftën e tij shkatërruese në Gazë dhe dëshira për të promovuar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme.

Armëpushimi Izrael-Hamas, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka hyrë në fuqi në tetor, por Izraeli përsëri ka hedhur poshtë çdo perspektivë të shtetësisë palestineze.

Macroni ka thënë se Franca dhe Autoriteti Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar nën pushtimin ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor, do të krijojnë një komitet të përbashkët për të punuar në hartimin e një kushtetute të re palestineze.

“Ky komitet do të jetë përgjegjës për të punuar në të gjitha aspektet ligjore: kushtetuese, institucionale dhe organizative,” u ka thënë ai gazetarëve.

“Do të kontribuoj në punën e zhvillimit të një kushtetute të re, një draft të së cilës presidenti Abbas ma ka paraqitur mua, dhe do të synoj të finalizoj të gjitha kushtet për një shtet të tillë të Palestinës”, ka shtuar Macron.

Ai ka thënë se Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro në ndihmë humanitare për Gazën për vitin 2025.

Lëvizja e Francës, Britanisë, Kanadasë dhe Australisë për të njohur shtetin palestinez i bashkoi ato me mbi 140 vende të tjera që mbështesin gjithashtu aspiratën e palestinezëve për të krijuar një atdhe të pavarur nga territoret e pushtuara nga Izraeli.

Por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar valën e njohjeve, duke i bërë jehonë qëndrimit të aleatit të ngushtë të Izraelit se duke vepruar kështu, po shpërblehej Hamasi për sulmin e tij të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gazë.