Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se vendi i tij nuk do të përfshihet në operacione në Ngushticën e Hormuzit gjatë përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Macron theksoi se Franca nuk është palë në konflikt dhe, për këtë arsye, “nuk do të marrë pjesë në operacione për hapjen apo çlirimin e Ngushticës së Hormuzit në kushtet aktuale”.

Ai sqaroi se çdo përfshirje e mundshme mund të shqyrtohet vetëm pas përfundimit të armiqësive. Sipas tij, Parisi po përgatitet për krijimin e një aleance që do të garantojë lirinë e lundrimit në zonë sapo të rikthehet stabiliteti.

Macron shtoi se, nëse ndalojnë përplasjet, Franca është e gatshme të kontribuojë në një mision shoqërimi detar në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se një operacion i tillë do të kërkonte edhe koordinim me Iranin.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se çdo mision i ardhshëm duhet të jetë i ndarë plotësisht nga situata aktuale e konfliktit.