Platforma makedonskondajdobro.mk u krijua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e sistemeve që do të mundësojnë dukshmëri, lidhshmëri dhe vendosje më të madhe për prodhuesit vendas. Përmes këtij mjeti prodhuesit vendor mund të bëhen zgjedhja e parë – midis institucioneve, tregtarëve dhe çdo qytetari.
Në këtë faqe kategoritë ndahen në produkte bujqësore, të përpunuara dhe organike. Mjafton të klikosh dhe do të shfaqen disa prej tyre.
Po kush mund të regjistrohet?!
Fermerët dhe shoqatat bujqësore, përpunuesit dhe prodhuesit e vegjël vendor, shitësit me pakicë, objektet e shitjes, marketet, tregtarët e frutave dhe perimeve, dhe tregtarët që ofrojnë produkte vendase. Vlen të theksohet që regjistrimi dhe profili do të jetë falas për secilin pjesëmarrës në zinxhirin e prodhimit dhe shitjes. Mirëpo për momentin ende nuk është funksional regjistrimi.
Në këtë faqe ekziston edhe harta që do t’i lejojë çdo qytetari, pavarësisht se ku ndodhet, të gjejë vendndodhjen më të afërt ku mund të blejë një produkt me origjinë të Maqedonisë.
Ndërkohë, Gorgi Karakasev nga “Rrjeti kombëtar Bujqësor” për TV21 tha se janë skeptik për prodhimtarinë vendore, pasi sic shtoi, gjithnjë e më pak ka prodhues.
“Rreth fushatës “bleni produkte maqedonase”, e mbështesim absolutisht. Megjithatë, ne besojmë se është pak vonë sepse ne vetë shohim se ka gjithnjë e më pak interes, gjithnjë e më pak prodhues të ushqimeve bujqësore, kështu që nëse kjo vazhdon, presim që do të përballemi me një mungesë drastike të produkteve maqedonase që tashmë po e ndiejmë, kështu që shteti duhet t’i qaset seriozisht asaj pjese, që do të thotë të fillojë sa më shumë prodhim të jetë e mundur dhe të ofrojë mbështetje maksimale për prodhuesit primarë, fermerët”, tha Gorgi Karakasev, Rrjeti Kombëtar Bujqësor.
Ministri i bujqësisë Cvetan Tripunovski nëpërmjet një postimi në facebook u bëri thirrje fermerëve që të regjistrohen në këtë platformë.
“Qëllimi ynë është i qartë, në vend të importit, të zgjedhim produktet bujqësore vendase dhe përpunimin e tyre! Nga Novaci, u bëra thirrje të gjithë fermerëve, kooperativave bujqësore dhe përpunuesve të regjistrohen në platformën dixhitale – www.makedonskonajdobro.mk. Për të mbështetur fushatën “Më e Mira Maqedonase””, shtoi Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë.
Poashtu nga kjo ministri paralajmëruan se së shpejti do të publikohet një aplikacion i veçantë për celularë që do të ofrojë qasje edhe më të lehtë në informacion në lidhje me produktet bujqësore vendase dhe produktet e përpunuara.
