Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara shënon fillimin e një prej betejave më të ashpra për titullin kampion në vitet e fundit. Edhe pse nuk ka fituar në tri garat e fundit, Oskar Piastri mbetet lider i padiskutueshëm me gjashtë evente të mbetura, duke mbajtur një epërsi prej 22 pikësh ndaj shokut të skuadrës, Lando Norrisit.
Megjithatë, falë paraqitjeve të fundit, Maks Vershtapen është rikthyer në garë për titull dhe aktualisht ndodhet 63 pikë larg kreut. Që nga kthimi pas pushimeve verore, kampioni në fuqi ka grumbulluar më shumë pikë se të dy pilotët e MekLarenit.
Me gjashtë fundjava të garave të mbetura, tri prej tyre me formatin sprint, pilotët kanë mundësinë të fitojnë deri në 174 pikë në total deri në fund të sezonit, pikërisht aq sa do t’i duheshin Vershtapenit për të mbrojtur titullin.
Megjithatë, piloti I Red Bullit nuk e ka fatin në duart e tij. Edhe nëse arrin të fitojë të gjitha garat e mbetura, nëntë në total (përfshirë sprintet), Piastri do të merrte titullin nëse përfundon i dyti në secilën prej tyre.
Mesatarisht, Vershtapen duhet të fitojë 10.5 pikë më shumë se australiani në çdo garë për ta kaluar atë në renditjen përfundimtare. Kjo nuk është aspak e lehtë, duke qenë se diferenca mes vendit të parë dhe të tretë është vetëm 10 pikë. Prandaj, Red Bullit do t’i duhej ndihma e Mercedesit apo Ferrarit për të “ndërprerë” dominimin e dy makinave MekLaren në garat e ardhshme.
The post Maks Verstapen ende beson se mund të arkëtojë titullin e pestë në F1 appeared first on Alsat.