Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.

Maqedonci i bëri këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”. ku bëhet fjalë për raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, deklaroi Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë MiG-29, që veçse i zotëron.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Presidenti serb nuk tregoi se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.

Ministri Maqedonci beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.

“Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore FK3, HQ-17 dhe HQ-9 si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”.

The post Maqedonci për blerjen e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve appeared first on Alsat.