Pavarësisht pritjes 20-vjeçare për anëtarësim në BE, dhe vendimeve të vështira që duhej t’i merrnit, ende nuk dihet kur do të bëheni anëtarë të familjes evropiane, deklaroi presidenti sllovak Peter Pellegrini, i cili është në vizitë zyrtare dyditore në vend. Ai njëkohësisht shprehu mbështetje të fortë për anëtarësimin tonë, por edhe kritika të hapura për politikat e zgjerimit. BE-ja nuk mund të luajë me besimin e këtij vendi, veçanërisht pas dekadash reformash të vështira, theksoi Pellegrini.

“Me të vërtetë keni kaluar një rrugë të vështirë drejt BE-së, e di sa e vështirë ishte të zgjidhej çështja e emrit të vendit tuaj. Këtu ndoshta pak do të kritikoj kur them se gjithmonë shfaqen kushte të reja dhe sinqerisht BE-ja bën një gabim të madh. Integrimi i vendit tuaj në BE nuk duhet të keqpërdoret. Nuk duhet të keqpërdoret me mosmarrëveshje të tilla politike”, tha Peter Pellegrini.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila nga homologu Pellegrini mori një buqetë me lule, e falënderoi për mbështetjen dhe njëkohësisht theksoi se për anëtarësimin në BE duhet të plotësohen kriteret e Kopenhagës, jo çështjet bilaterale. Ajo pret që për këto çështje të diskutohet edhe gjatë vizitës së nesërme me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Të dy ndajmë qëndrimin që zgjerimi duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës, nga të cilat nuk duhet të ikim. Pra, të bazohet në meritë dhe të bazohet në rezultate, të mos varet nga kushte politike të tjera irracionale, të cilat në një mënyrë uzurpojnë procesin e euro-integrimit”, deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova.

Ndryshe, gjatë vizitës së sotme të mysafirëve sllovakë u nënshkrua një Memorandum për bashkëpunim ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë, me ç’rast u tha se në këtë mënyrë marrëdhëniet e ndërsjella do të zhvillohen edhe më shumë.