Aktualisht Suedia është partneri i 19-të tregtar i Maqedonisë, por të dyja palët konsiderojnë se ekziston hapësirë e konsiderueshme për rritjen e tregtisë dhe investimeve. Potencial i veçantë ekziston në industrinë ushqimore dhe në bujqësi. Një nga produktet që tashmë ka kërkesë në tregun nordik është lakra e freskët, por edhe produkte të tjera bujqësore nga Maqedonia, si specat, rrushi, shalqinjtë dhe frutat. Ambasadori suedez në vend thotë se shteti i tij gradualisht po ndryshon fokusin e politikës së jashtme dhe dëshiron të thellojë partneritetet tregtare.

“Nuk do të thosha se bëhet fjalë për një ndryshim të politikës, por më shumë për faktin se kemi një theks më të madh në politikën suedeze të marrëdhënieve të jashtme, në politikën tonë të zhvillimit, në politikën tregtare, në politikën e inovacionit dhe në politikën energjetike – për të parë përtej kufijve dhe për të menduar se si mund t’i forcojmë partneritetet tona. Duhet të ndjekim zhvillimet në botë. Kjo është diçka që po e bëjnë edhe shumë vende të tjera evropiane, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut. Ne kërkojmë partneritete të reja, diversifikim, por edhe mënyra se si të forcojmë tregtinë, investimet dhe rritjen ekonomike në të gjitha vendet tona”, tha Ola Solstrom – Ambasador i Suedisë në Maqedoninë e Veriut.

Përveç ushqimit, mundësi të reja hapen edhe për eksportin e verës së Maqedonisë dhe pijeve të tjera alkoolike. Në Suedi dhe Finlandë, shitja e alkoolit realizohet përmes sistemeve shtetërore të shitjes me pakicë, që do të thotë se prodhuesit duhet të kalojnë nëpër një proces të veçantë. Por nëse një herë hyjnë në sistemin e atyre dyqaneve shtetërore, prodhuesit e vendit tonë mund të fitojnë qasje në të gjithë tregun kombëtar.

Pikërisht për këtë arsye, vendet nordike konsiderohen një mundësi tërheqëse për kantinat e verës dhe prodhuesit e alkoolit nga Maqedonia, të cilët tashmë kanë reputacion për cilësi në tregjet ndërkombëtare. Se “nordikët” janë partnerë të besueshëm e dëshmon edhe biznesmeni i Maqedonisë Stanisha Ivanoviq, i cili prej dekadash eksporton produkte bujqësore në Suedi.

“Nëse dini si të komunikoni, kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Por suedezët, të paktën sipas ndjesisë apo përfundimit tim, janë pak më të guximshëm kur bëhet fjalë për ndërmarrje të tilla biznesi. Kështu që ne jemi mjaftueshëm të guximshëm të përpiqemi të hyjmë në tregun suedez, por edhe ata janë të guximshëm të vijnë këtu dhe të përpiqen të punojnë me ne”, theksoi Stanisha Ivanoviq – “Unix”.

Përmes partnerëve suedezë, kompanitë e Maqedonisë shpesh marrin mundësinë të hyjnë edhe në tregun më të gjerë nordik, përkatësisht në Norvegji, Danimarkë dhe Finlandë, gjë që e rrit edhe më shumë potencialin eksportues. Sipas komunitetit të biznesit, ngjarje të tilla janë të rëndësishme për hapjen e kanaleve të reja të eksportit dhe për lidhjen e prodhuesve maqedonas me kompanitë dhe distributorët nordikë.