Maqedonia nesër, do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Irlandës në Dublin. Ky është në fakt një duel mes dy përfaqësueseve që u eliminuan në gjysmëfinalet e barazhit për Botërorin. Maqedonia humbi nga Danimarka, ndërsa Irlanda nga Çekia.
Ky takim pritet të shërbejë për rikthimin e vetëbesimit te përfaqësuesja, pas humbjes së thellë ndaj Danimarkës.
“Nuk ekzistojnë ndeshje miqësore, çdo ndeshje duhet ta luajmë për fitore, të garojmë me të gjithë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe të tregojmë lojë të mirë. Më e rëndësishmja, duke pasur parasysh mënyrën si e humbëm ndeshjen e fundit, është aspekti psikologjik i lojtarëve – të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultat të mirë, që sa më shpejt të harrojmë Danimarkën. Vetëm kështu mund të ngrihemi dhe të paraqitemi më mirë në kualifikimet dhe grumbullimet e ardhshme”, tha Gjoko Zajkov.
