Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arjanit Hoxha përmes një postimi në profilin e tij ka reaguar ndaj ligjit për përfaqësim të drejtë duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit po minohet dhe se shteti shkon drejtë një krize edhe më të madhe se ajo e vitit 2001 duke shtuar se tentativat për ta mbajtur peng në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili rregullon përdorimin e gjuhës shqipe, prishja e mekanizmit të “balancuesit” dhe tashmë sjellja e një ligji dekorativ, e jo sanksionues, për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, e rrumbullakosin përfundimisht politikën e kësaj qeverie për ta minuar Marrëveshjen e Ohrit, shkruan Top24

Postimi i plotë i Arjanit Hoxhës:

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, për fat të keq, po minohet në shtyllat e saj kryesore, ndërsa shteti po rrëshqet drejt një krize të thellë, që mund të jetë më e rënda pas vitit 2001 për sa i përket prishjes së raporteve ndëretnike në vend.
Tentativat për ta mbajtur peng në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili rregullon përdorimin e gjuhës shqipe, prishja e mekanizmit të “balancuesit” dhe tashmë sjellja e një ligji dekorativ, e jo sanksionues, për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, e rrumbullakosin përfundimisht politikën e kësaj qeverie për ta minuar Marrëveshjen e Ohrit.
Më shqetësues është fakti se kjo po merr edhe aprovimin e VLEN-it, si një ndër strukturat politike më vazale që mbahen mend në historinë politike të shqiptarëve. Ashtu si sot që VLEN e shet dështimin si arritje dhe vazalitetin si patriotizëm, historia njeh nga e kaluara vetëm veprime të ngjashme me ato të Rrahman Morinës dhe ndjekësve të tij.
Tashmë e dimë se VLEN nuk ka as kapacitetin, as dijen, as potencialin, madje as vullnetin për t’u dalë zot shqiptarëve. Por pyetja e vërtetë është: cila do të jetë “perla” e radhës?