Presidenti i Federatës të Futbollit të Maqedonisë së Veriut Masar Omeragiq së bashku me Sekretarin Gjeneral Drilon Ganiu me ftesë të presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Nyon, transmeton TV21. I pari i FFM-së Masar Omeragiq është takuar me presidentin e UEFA-s Aleksander Ceferin, ku e ka njoftuar për qëllimet kyçe të federatës në periudhën e ardhshme e që kanë të bëjnë me investimet e përbashkëta në infrastrukturë, reformat në futbollin vendor, ndërtimin, rindërtimin dhe rinovimin e fushave të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për këtë mënyrë konstruktive të komunikimit me njerëzit kryesorë të futbollit europian. Patëm një takim të mrekullueshëm dhe një pritje të ngrohtë nga kreu i futbollit evropian dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Zoran Lakoviq.

Ndamë shumë informacione të dobishme dhe të vlefshme për gjendjen e futbollit në vendin tonë dhe diskutuam hapur për temat kryesore, gjë që tregon se Presidenti Ceferin dhe udhëheqja e UEFA-s vlerësojnë mendimet e të gjitha vendeve anëtare.

Në mesin tonë ekziston respekt dhe një dëshirë e madhe për të gjetur zgjidhjet më të mira për disa sfida me të cilat përballemi, për të vazhduar zhvillimin e futbollit në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo i referohet kryesisht fondeve të investimeve të UEFA-s dhe reformave në futbollin vendor që na takojnë. Ne duhet të veprojmë menjëherë për të shmangur gjërat e padëshiruara dhe për të hyrë në një trend pozitiv dhe suksese të reja”, u shpreh presidenti i FFM-së, Masar Omeragiq.