Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Manastir kundër dy personave, M.K. 56-vjeçare nga Manastiri dhe A.S. 38-vjeç nga Estonia, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”. Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë nxitur disa qytetarë të investojnë para në një platformë të rreme në internet, me ç’rast u kanë shkaktuar dëme financiare.
“Në periudhën nga dhjetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026, përmes një aplikacioni mobil, në një kanal me disa qindra abonentë, duke premtuar fitime të supozuara të cilat nuk janë realizuar kurrë, kanë nxitur një numër të madh qytetarësh nga i gjithë vendi që të investojnë mjete financiare në një platformë të rreme interneti dhe në këtë mënyrë i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare”, thanë nga MPB-ja.
Në Sektorin për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale janë dorëzuar pesë denoncime nga qytetarë të dëmtuar, por sipas raporteve financiare dyshohet se nga kjo skemë mashtruese janë prekur qindra qytetarë, shumica prej të cilëve nuk e kanë denoncuar rastin. Për zbardhjen e rastit është zhvilluar një hetim disa mujor, në bashkëpunim me disa institucione vendore dhe të huaja. Gjatë hetimit, policia ka zhvilluar bisedë informative me personin e parë të denoncuar dhe i ka sekuestruar pajisjet elektronike që janë përdorur për komunikim përmes aplikacionit.
“Përmes analizës forenzike të të dhënave të nxjerra nga pajisjet e sekuestruara, është vërtetuar vepra penale për të cilën është paraqitur kallëzimi penal. Sa i përket aspektit ndërkombëtar të hetimit, pas një analize profesionale të transaksioneve me kriptovaluta, përmes platformave ndërkombëtare të sigurisë janë siguruar informacione të plota për pronarin e portofolit të kriptovalutave”, thanë më tej nga MPB-ja.
Duke pasur parasysh trendin në rritje të këtij lloji të mashtrimeve, MPBu bën apel qytetarëve që të mos u besojnë premtimeve për fitime të lehta dhe të shpejta në internet. Mashtruesit, përmes rrjeteve sociale, profileve të rreme dhe telefonatave, ofrojnë mundësi investimi në kriptovaluta, duke premtuar kthime të larta dhe të sigurta financiare. Në këtë mënyrë, ata i bindin qytetarët të transferojnë para në platforma të rreme investimi, të cilat mund të duken plotësisht legjitime.
