Tani e tre muaj janë në pritje të fillimit të gjykimit ish ushtruesi detyrës drejtor në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” Sabahadin Rustemi dhe menaxheri i mbeturinave Aki Saiti. Ndonëse 45 ditë ishin prapa grilave derisa zgjati procedura hetimore, Prokuroria tash më ka dorëzuar në Gjykatën Penale akt akuzën për dy të pandehurit, për mos mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet gjatë fushatës zgjedhore.
“Me 28 tetor 2025 për shkak të dyshimit për vepër penale të rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me mbeturina, Gjykata Penale vendosi masë paraburgimi prej 30 ditësh për ish u.d. drejtor i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, Sabahadin Rrustemi dhe Aki Saiti, menaxherin e mbeturinave, për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe mundësisë së përsëritjes së krimit”, thonë nga Gjykata Penale – Shkup.
Por, paraburgimi iu vazhdua edhe për 15 ditë, deri në zëvendësimin me masat e kujdesit të shtuar me detyrim paraqitjeje. Për këtë çështje pritet që seancat gjyqësore të fillojnë nga fundi i muajit shkurt. Pala mbrojtëse e dy të akuzuarve, Asmir Alispahiq tha se këto akuza ishin të motivuara politikisht në periudhë parazgjedhore të lokaleve. Tregon se ka pasur presion të përshpejtimit të kësaj lëndë gjyqësore.
“Shpresoj se nga ana e mbrojtjes, e cila deri në këtë moment nuk do të mund të kumtoj teorinë e vet për rastin, deri në fillimin e seancës gjyqësore. Kjo për shkak të ruajtjes së besueshmërisë profesionale të mbrojtjes ashtu edhe të pandehurve. Do ta themi këtë në fillim të lëndës në gjykatë, por qëndrimi im është shumë i qartë në këtë pjesë, vlerësoj se në një moment është nxituar me presionet që të zbardhet e gjithë kjo situatë, që sipas meje ishte me prapavijë politike. Por, gjithsesi ja mund edhe ta ndiqni e ta shihni nëse ajo është e vërtetë apo jo, gjatë procesit që e presim të filloj”, u shpreh avokati Asmir Alispahiq.
Sipas aktakuzës Sabahadin Rustemi dhe Aki Saiti, dyshohen se kanë kryer vepër penale të rrezikimit të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sepse kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhim me mbeturinat dhe aktivitetin themelor të kompanisë për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit. Inspektimet e jashtëzakonshme dhe mendimi i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik konfirmuan se menaxhimi i tillë i mbeturinave shkaktoi dëme në tokë, ajër dhe ujë, me një rrezik potencial edhe për shëndetin e qytetarëve.
