Në një fushatë për mbledhje të fondeve në mbështetje të Ahmed al Ahmed-it, shitësi mysliman i pemëve që u plagos pasi e çarmatosi njërin nga personat që po kryenin sulm gjatë një tubimi për festën hebraike Hannukah në Sydney të Australisë, për një ditë u mblodhën 1,3 milion dollarë.

Donacionin më të madh në këtë fond e ka dhënë miliarderi hebre amerikan, Bill Ackman – 66 mijë dollarë. Ai gjithashtu e promovoi fushatën në llogarinë e tij në rrjetin X, duke thënë: “Ky është linku i verifikuar për heroin e Bondit.” Sulmi ndodhi në plazhin Bondi në Australi, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

“Në një moment të kaosit dhe rrezikut, ai doli përpara pa ngurrim. Veprimet e tij ishin vetëmohuese, instinctive dhe në mënyrë të pamohueshme heroike, të ndërmarra pa e përfillur sigurinë e vet. Raportimet e hershme tregojnë se ai u qëllua dy herë me armë përderisa i mbronte të tjerët” – thanë sponsorizuesit e fushatës në uebfaqen “GoFundMe”, duke iu referuar gjestit të Ahmedit.

Vepra e tij u bë virale në rrjete sociale dhe u vlerësua lart nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe ai australian, Anthony Albanese.

Përderisa po e merrte veten nga lëndimet në një spital të hënën, Ahmedi u vizitua nga Chris Minns, kryeministër rajonal i Uellsit të Ri Jugor, pjesë e të cilit është edhe qyteti Sydney.

“Ahmedi është një hero i jetës reale. Mbrëmë, trimëria e tij e pabesueshme pa dyshim se shpëtoi jetë të panumërta, kur ai çarmatosi një terrorist në kurriz të një rreziku të jashtëzakonshëm personal” – shkroi Minns në rrjetin X, ku gjithashtu publikoi një fotografi ku shihej për vizitë në spital te heroi i plagosur.

The post Mblidhen mbi 1,3 milion dollarë për një ditë për personin që e çarmatosi sulmuesin në Australi appeared first on Alsat.