Po bëjnë përgatitjet e fundit për garën e nesërme me biçikleta.
Kjo garë është më e veçantë nga të tjerat sepse po bëhet për tetorin rozë, muajit për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit.
Nenadi është servisues i biçikletave dhe thotë se do të jenë rreth 50 persona që do të nisen nga kryeqyteti drejt Ohrit.
“Po bëjmë përgatitjen për ditën e nesërme. Do të nisemi në mëngjes në orën 6 nga Shkupit për në Ohër, ruta na është e njohur dhe gjithçka që mbetet është të shoqërohemi mes vete”, tha Nenad Savrovski – servisues i biçikletave.
Kardiokirurgu Nikolla Hristov çiklizmin e ka pasion, ndërsa garës po i bashkohet për të rritur ndërgjegjësimin. Detektimi i hershëm, sjellë gjasa më të mëdha për shërim të suksesshëm.
“Qëllimi i kësaj nisme është që të ngritet më shumë ndërgjegjësimi që njerëzit t’i parandalojnë paraqitjet e sëmundjeve, që shumë më mirë dhe më me sukses mund të arrihet shërimi, jo vetëm i kancerit por edhe sëmundjeve të tjera, njëjtë edhe te burrat, kanceri në zorrën e trashë, në prostatë…”, u shpreh Nikolla Hristov – Kardiokirurg/pjesëmarrës.
Gara është organizuar nga Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë. Ambasadorja Angela Aggeler tha se është bërë progres në aspektin shëndetësor dhe dërgoi mesazh deri te të prekurit me këtë sëmundje.
“Më e rëndësishmja është që të bëhen kontrolle, përpara se të diagnostikohesh, pra është e rëndësishme që të bëjmë kontrollet të gjirit rregullisht. Kjo është më e rëndësishmja. Në mjekësi është bërë shumë progres viteve të fundit pra ka shpresë dhe çdo vit që ne e bëjmë këtë fushatë për kancerin e gjirit nëpër Botë ne shohim se ka më shumë shpresa.
TV21: Cili do të jetë mesazhi juaj për të gjithë personat që po luftojnë me kancerin e gjirit?
Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar me luftën”, deklaroi Andela Aggeler – Ambasadore e SHBA në RMV.
Nga shoqata Ezra për iniciativa shëndetësore në luftën kundër kancerit të gjirit thonë se fatkeqësisht incidenca e patologjisë malinje tek pacientët është në rritje e gjithë kjo nga mos ndërgjegjësimi i duhur.
“Prandaj edhe platformat unike që sjellim përmes aktiviteteve tona janë pikërisht aspirate për të ngritur vetëdijen dhe për të bërë thirrje fillimisht për vetëkontroll, që duhet të jetë një kompromis i vazhdueshëm i secilës grua me trupin e saj dhe jo vetëm, sepse tani me kancer të gjirit mund të preken edhe meshkujt dhe kjo sëmundje nuk po bën dallim gjinie. Më pas ekzaminimet klinike të vazhdueshme dhe kontrollet periodike mjekësore që duhet të jenë pjesë e rutinës dhe kulturës sonë shëndetësore”, potencoi Liridona Beqiri – Shoqata “Ezra”.
Sipas shoqatës për mbrojtje nga kanceri i gjirit “Ezra” në vendin tonë rreth 1.200 persona në vit diagnostikohen me kancer të gjirit.

