Me ceremoni solemne nis viti akademik në Universitetin e Tetovës

Shkup, 1 tetor – Në mënyrë solemne në Universitetin e Tetovës ka filluar viti i ri akademik 2025/2026. Pritja për studentët e rinj është bërë në amfiteatrot e këtij universiteti nga stafi akademik i Universitetit të Tetovës. Me këtë rast, mirëseardhje në këtë universitet u uroi rektori Jusuf Zejneli. Ai falënderoi studentët të cilët kanë zgjedhur që formimin e tyre akademik t’ia besojnë Universitetit të Tetovës. Rektori Zejneli tha më tej se Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve.

“Ky është vetëm hapi i parë drejt ndjekjes së ëndrrave dhe arritjes së qëllimeve tuaja. Ndërsa të gjithë ju nisni këtë udhëtim të ri është e rëndësishme të mbani mend se nuk jeni vetëm. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju udhëhequr në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ky institucion është më shumë se sa thjesht një vend për të studiuar, është vendi që do ju përkrah dhe do i gëzohet çdo suksesi tuaj. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mire arsimor dhe t’ju ndihmojmë juve të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz, i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve”, deklaroi rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli.

Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës si dhe resurseve, ne do t’ju ofrojmë juve mundësitë shumta zhvillimi profesional, shtoi më tej rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli. “Ju inkurajoj shumë të bëheni pjesëmarrës aktive në diskutime, klube dhe aktivitete të ndryshme të cilat organizohen në numër të lartë nga fakultetet e ndryshme të universitetit tonë. Këto aktivitete do të pasurojnë përvojën tuaj, do të zgjerojnë horizontet tuaja dhe do t’ju ndihmojnë të krijoni miq si dhe bashkëpunime të vlefshme. Këtu në Universitetin e Tetovës, përveç se ju do të zgjeroni njohuritë tuaja, dhe të eksploroni fusha të reja ju do të takoni profesorë dhe studentë të tjerë që do t’ju inkurajojnë të shfrytëzoni potencialin tuaj dhe të arrini qëllimet përkatëse. Jeni të hapur ndaj ideve të reja, qasuni studimeve tuaja me pasion dhe përkushtim dhe përpiquni për rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm”, tha mes tjerash rektori Zejneli.

Ndryshe, sipas njoftimeve të deritanishme, këtë vit në Universitetin e Tetovës ka rritje të numrit të studentëve të cilët janë regjistruar në vitin e parë. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit nuk mungojnë studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Në ndërkohë, në mënyrë solemne janë ndarë edhe indekset e para për disa nga studentët e rinj të Fakultetit të Mjekësisë.