Në momente kur Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Arben Taravari në vazhdimësi shprehet e gatshme për bashkëpunim me të gjitha partitë për kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhje lokale, pra duke mos e përjashtuar as BDI-në, një zyrtar i ASH-së, zëvendëskryeministri Arben Fetai, po shprehet ndryshe. Në një status në Facebook ai shpreh besimin se ASH do të gjejë mënyrë për t’i çliruar komunat shqiptare nga BDI-ja.

“Unë besoj ende. Besoj se Aleanca për Shqiptarët do të mbetet besnike ndaj rrugës së saj – rrugës së Arbrit, të dinjitetit dhe guximit. Dhe besoj se, me vullnet të ndërsjellë, mund ta gjejmë formulën për të çliruar çdo komunë shqiptare nga keqqeverisja e BDI-së. Ky është misioni ynë. Sulmet dhe goditjet nën brez nuk i kontribuojnë këtij misioni. Për këtë mision do të vazhdoj të luftoj, pa i sharë ata me të cilët e sollëm ndryshimin, pa u përkulur”, shkroi Fetai.
TV21: Tani Arben Fetai qëndron prapa Arben Taravarit apo është duke zgjedhur një rrugë tjetër?
“Deri në këto momente që flasim, unë si sekretar gjeneral të paktën, kam informatë që z.Fetai është zëvendëskryeministri i votuar nga Kuvendi i ASH-së dhe ai vazhdon të bashkërendojë aktivitetet tona. Çdo mendim ndryshe është mendim për të cilin ne nuk e kemi nijet të instalojmë diktaturën dhe të ndalojmë paraqitjet, sidomos në rrjetet e tyre sociale personale”, tha Ramadani.

Sekretari gjeneral i ASH-së shtoi se mendon se Arben Fetai është në një vijë me ASH-në, e cila sipas tij, në asnjë moment nuk është pajtuar me parregullsitë e pushtetit të kaluar, përkundrazi i kanë kritikuar.

“Mirëpo tani jemi në momentum të ri, jemi pjesë e qeverisë dhe kemi marrë përgjegjësi. Më shumë nga ne qytetarët presin punë praktike sesa kritika”,deklaroi Ramadani.

Po Bilall Kasami thotë se ASH-ja në qeveri nuk e ka gjatë.

TV21: Arben Taravari vazhdon të jetë pjesë e Qeveris.
– Do e shohim deri kur… edhe ndonjë ditë.

E qëndrimet e Arben Fetait, në VLEN po i shohin si një zë ndryshe nga veprimet e Arben Taravarit.

“Ne urojmë që ky zë ndryshe të jetë i fuqishëm dhe sigurisht edhe një herë ne do të dëshironim që edhe më tutje ASh të jetë pjesë e koalicionit VLEN, pjesë e Qeverisë, por në asnjë moment me elementë të cilët kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me Ali Ahmetin dhe BDI-në”, tha Kasami.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së ASH-së, Arben Fetai është autorizuar nga partia që të gjejë një modus bashkëpunimi me VLEN-in, pa përfshirë listat për kandidatët për këshilltarë komunalë, tregoi në DailyClick sekretari i përgjithshëm i ASH-së Blerant Ramadani. ASH pret që në mbledhjen e Ardhme Fetai t’i brifojë se si kanë shkuar komunikimet dhe nëse ka ndonjë mundësi për përkrahje të ndërsjellët për kryetarë komunash.