Për 100.000 banorë në Maqedoni, deri në 350 janë freelancerë. Si komb, jemi më lart në rajon për nga përqendrimi i freelancerëve, kanë treguar hulumtimet ku janë numëruar vetëm profilet në platformat digjitale. Potenciali dhe cilësia është e lartë, por statusi i tyre social nuk është zgjidhur. Fondacioni “Impact” i ka mbledhur në një vend, në hapësirën e konferencës CoWork 21 në Televizionin 21, freelancerët nga vendi dhe jashtë, kompanitë dhe institucionet kompetente.

“Problemi është se nuk mund të tarifojnë shumë lart punën e tyre, edhe pse cilësia është e njëjtë. Arsyeja, mendojmë, është kredibiliteti i pamjaftueshëm, perceptimi i panjohur për atë se si është freelancer-i nga Maqedonia; nuk kemi besim, nuk gëzojmë besueshmëri në tregun amerikan dhe na duhet kohë derisa të bëhemi të njohur atje. Për shembull, vendet e tjera lobojnë jashtë vendit dhe promovojnë punët e tyre digjitale dhe freelancerët e tyre. Pikërisht këtë synojmë të arrijmë në platformat globale”, tha Elena Ivanova, drejtore e Fonadcionit Impact.

Gama e vendeve të punës digjitale është e gjerë dhe të rinjtë nuk kanë rezistencë ndaj vetëpunësimit, thotë Ivanova. Marketingu digjital, multimedja, industria kreative dhe programimi janë vetëm disa nga vendet e punës digjitale që ata kryejnë më së shumti për kompani të huaja. Ajo thotë se si fondacion punojnë edhe në lobim pranë institucioneve për t’u siguruar freelancerëve një mënyrë ligjore për të kontribuar me pagesën e taksave dhe për të qenë qytetarë të barabartë në shoqëri.

Sa është numri total i të rinjve që punojnë si freelancerë, askush nuk e di. Nga Ministria e Politikës Sociale kanë angazhuar ekspertë që do t’i numërojnë, do të bëjnë analizë se sa kontribuojnë ata në tregun e punës dhe në ekonomi. Është përgatitur edhe një projektligj që do t’u mundësojë freelancerëve të përfshihen në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Ata do të barazohen me të punësuarit e tjerë, që do të thotë se ata vetë do të deklarojnë punën e tyre, domethënë kontratën e punës që kanë me çdo organizatë, kompani ose të ngjashme, dhe do të paguajnë kontributet si të gjithë të punësuarit e tjerë.

Si opsion për siguri financiare, u ofrohet gjithashtu edhe shtylla e tretë vullnetare e pensionit.

“Këtu jemi për të theksuar nevojën për siguri financiare afatgjatë për profesionistët e pavarur. Veçanërisht për ata që punojnë në kushte të statusit të pakontrolluar të punës dhe pa pagesë të rregullt të kontributeve pensionale, mund të themi se shtylla e tretë vullnetare e pensionit, Sava Pension Plus, në shoqërinë tonë është një mundësi reale për të planifikuar në mënyrë të lehtë dhe fleksibël mbrojtjen e tyre personale, sipas mundësive dhe nevojave të tyre”, pohoi Snezhana Stankoviq, kryetare e Bordit Menaxhues të Shoqërisë Pensionale Sava.

Në të, çdo person mund të fillojë të kurse nga mosha 15 vjeç. Nga shoqëria thonë se secili mund të kursen sa të dëshirojë. Paratë mund të përdoren 10 vjet para pensionit, dmth në moshën 52 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat.