Një ngjarje jo e zakonshme, por shumë e bukur, ka ndodhur sot në Kërçovë.
Dy fëmijë të mërgimtarëve u ulën në bankat e shkollës fillore “Millto Gurra” në fshatin Cërvicë, vendlindjen e prindërve të tyre.
Pas 17 vitesh në Zvicër, mërgimtari Neshat Spahiu ka vendosur që bashkë me familjen të kthehet në vendlindje. Ai thotë se dëshiron që fëmijët e tij të mësojnë, të shkollohen dhe të edukohen me frymën shqiptare, në të njëjtat banka ku ka mësuar edhe vetë.
Sipas tij, ky vendim është marrë për të shmangur rrezikun e asimilimit dhe për të ruajtur gjuhën, kulturën e traditën. Ai shton se këtë hap e ka ndërmarrë me shumë kënaqësi dhe me mbështetjen e plotë të bashkëshortes.
“Qëndrova atje rreth 17 vite. Qëllimet e mia primare i arrita, dhe tani, duke parë rrezikun që u kanoset fëmijëve dhe brezave tanë që vijnë pas – për të harruar gjuhën, kulturën, traditën apo për të humbur familjen – ishte shumë i madh. Njëzëri me bashkëshorten time, e cila ishte plotësisht dakord me vendimin tim, vendosëm që fëmijët t’i sjellim këtu, të vazhdojnë procesin arsimor këtu, të rriten dhe ishalla të plaken në këtë vend”, tha Spahiu.
Drejtori i shkollës fillore “Millto Gurra”, Kujtim Kasami, e cilëson këtë një vendim të rëndësishëm dhe të guximshëm, duke theksuar se hapa të tillë duhet t’i marrin edhe të tjerë që kanë krijuar kushte.
“Ky le të jetë një mesazh pozitiv, le të jetë një urim i mbarë për gjithë ata prindër që e kanë si ide, por e kanë të vështirë ta marrin këtë hap të guximshëm, siç e ka marrë Neshat Spahiu, por edhe Fatmiri më herët dhe prindër të tjerë. Sepse sot shumë pak ose aspak nuk dallohen shkollat tona nga ato europiane”, tha Kasami.
Kasami shtoi se nxënësit janë pajisur me libra shkollorë dhe se gjithçka ka nisur siç duhet.
Nga ana tjetër, Neshati bëri apel për kthimin e fëmijëve në vendlindje, duke uruar që ky shembull të ndiqet nga të gjithë ata që dëshirojnë të rikthehen.