Kjo është zhurma e përditshme të cilën duhet ta durojnë banorët e fshatit Merovë, Komuna e Zhelinës.

Kjo është mënyra e vetme për të siguruar një pikë ujë për pije.
Edhe pse ky fshat numëron vetëm rreth 50 shtëpi të banueshme, mungesa e ujit mbetet një sfidë e kahershme, që rëndohet edhe më shumë gjatë muajve të verës me ardhjen e mërgimtarëve.

“Në 98-tën një bunar e çela, kanalizimin e bënë këtë kanalin këndej edhe mbet ashtu. Rezervuarin atje e bënë e mbet ashtu. Dje erdhën këta katër, edhe kanë punuar. Sa kanë punuar nuk e di
-Prej te komuna a ka ardhur ndonjëherë për shtëpia, apo jo?
-Jo! Që nga komuna s’ka ardhur hala për shtëpia. Hala punohet, thonë punohet.
-Gypat a i kanë vënë për fshat?
-Diku kanë vënë, diku s’kanë vënë, për këtë unë s’e di”, tha një banro.

“Po ujë nëpër shtëpia kemi veç me bunarë, edhe kështu të mëhallës. A këta gypat janë lëshuar, tash presim që të lëshohet uji këtu. Po ka që nja dy-tre muaj, katër muaj ka që punohet. Edhe punohet mirë Me shtëpi ka banorë që banojnë këtu, 50 shtëpi, më shumë s’ka. Të tjerët kanë shpërngulur, janë nëpër kurbet”, shtoi një tjetër banor.

Kreu i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, sqaron se vonesat kanë ardhur si pasojë e procedurave me kyçjen elektrike, ndërsa premton se projekti do të finalizohet zyrtarisht brenda dy javësh.

“Po, ne në Merovë nuk është se e kemi lëshuar ndonjëherë atë ujë dhe ne kemi punuar dhe kemi thënë se jemi duke punuar. Brenda dy javëve presim që ta lëshojmë në përdorim zyrtar edhe ujësjellësin e Merovës. Kemi pasur ca defekte në lidhje me kyçjen në rrjetin elektrik, për arsye se bartja apo transferimi apo përçimi i ujit atje bëhet përmes rrymës dhe ky sistem duhej që të kyçet edhe në EVN. E kemi tejkaluar edhe këtë Dhe për brenda dy javëve do ta lëshojmë në përdorim bashkë me ministrin e Ambientit Jetësor edhe këtë projekt”, tha kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu.

Mbetet të pritet edhe dy javë nëse do të mbahet ky premtim i autoriteteve, shpresë me të cilën po rrinë edhe merovasit, të cilët nuk do të jenë më të dënuar ta dëgjojnë përditë zhurmën e hidroforëve.