Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian pasi u pyet nga presidenti malazez, Jakov Milatoviq.

Duke iu drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, Merz pranoi se BE-ja e ka zvarritur procesin e zgjerimit drejt këtij rajoni.

Ai premtoi se do ta rishikojë qasjen dhe do ta shtyjë përpara anëtarësimin e tyre, pavarësisht rezistencës brenda bllokut.

“Po ndihem gjithnjë e më i pakëndshëm me qasjen tonë ndaj vendeve tuaja. Duhet të rihapim një strategji të re. Nuk dua t’ju humbas. Ju jeni pjesë e kontinentit evropian dhe, për rrjedhojë, jeni potencialisht pjesë e Bashkimit Evropian. Ka një “elefant në dhomë”. Të gjithë në këtë sallë e dinë kush është kundër kësaj, por ne duhet ta kapërcejmë këtë”, deklaroi lideri gjerman.

Ai më tutje pohoi se nevojitet një votë unanime në Këshillin Evropian për të hapur kapitullin e radhës, por duhet ta tejkalojmë këtë pengesë.

“Së fundi, pas zgjedhjeve që do të mbahen në prill, shpresoj se do të jemi në gjendje të hapim kapitujt e ardhshëm dhe t’ju afrojmë gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian, deri në fund si anëtarë të tij”, pohoi Merz.

Kancelari tha gjithashtu se “bota nuk është më njëpolare. Udhëheqja e SHBA-së po sfidohet, ndërsa Kina po forcohet dhe mund ta barazojë Amerikën në aspektin ushtarak”.

Në të njëjtën kohë, ekonomia e BE-së është pothuajse dhjetë herë më e madhe se ajo e Rusisë, megjithatë Evropa nuk po e shfrytëzon plotësisht potencialin e saj.

Kancelari gjerman shtoi se liria nuk është më e garantuar — ajo duhet të mbrohet.

The post Merz: BE-ja e ka zvarritur procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor appeared first on Alsat.