Kompanitë e huaja, përfshirë ato nga Shtetet e Bashkuara, duhet të zbatojnë ligjet gjermane dhe të BE-së kur operojnë atje, tha të martën kancelari gjerman Friedrich Merz duke iu përgjigjur kritikave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për gjobën e vendosur në rrjetin social Platform X të Elon Musk.
“Ashtu si kompanitë evropiane dhe gjermane duhet t’u përmbahen rregullave në Amerikë, ndonjëherë duke u përballur me dënime drakoniane, kompanitë amerikane duhet të pranojnë rregullat tona këtu. Nëse nuk i pranojnë, mund të përballen me sanksione”, u tha Merz gazetarëve.
“Ekzistojnë mjete ligjore për t’i sfiduar ato (sanksionet) dhe ato janë në dispozicion të të gjitha kompanive, evropiane dhe amerikane”, shtoi kancelari gjerman.
Të hënën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e përshkroi si “të neveritshëm” vendimin e BE-së për të vendosur një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj Platformës X për shkelje të rregullave të transparencës.
