Meta dhe YouTube janë shpallur përgjegjëse për neglizhencë, pasi sipas një jurie në SHBA ato kanë projektuar qëllimisht produkte që krijojnë varësi dhe që e bënë të varur një përdoruese të re, duke i shkaktuar asaj dëm. Juria gjithashtu vendosi se kompanitë kanë dështuar të paralajmërojnë për rreziqet.

Juria u dha paditësve dëmshpërblim prej 3 milionë dollarësh. Jurisë në Los Angeles iu deshtë gati nëntë ditë diskutime për të arritur në vendim.

Padia mbi dëmet e supozuara të rrjeteve sociale ndaj të rinjve ishte e para e këtij lloji që shkoi në gjyq.
Gjatë gjashtë javëve të procesit gjyqësor në gjykatën e lartë të Los Angelesit, juria dëgjoi dëshmi nga drejtues të lartë të Metas dhe YouTubet, sinjalizues, ekspertë për rrjetet sociale dhe varësinë, si dhe nga një grua 20-vjeçare në qendër të padisë, e cila në dokumentet gjyqësore është identifikuar me inicialet KGM.

Gruaja dëshmoi se u bë e varur nga Youtube në moshën 6 vjeçe dhe në Instagram sa ishte 9 vjeçe, të cilat tha se ndikuan tepër në mirëqenien e saj. Në moshën 10 vjeçe ajo tha se ishte bërë depresive dhe e lëndonte veten për shkak të kësaj. Përdorimi i rrjeteve sociale, sipas saj, e ka larguar nga familja dhe shoqëria. Si 13 vjeçe terapisti i saj e ka diagnostikuar me çrregullim dismorfik të trupit dhe fobi sociale, të cilat ajo ia atribuon përdorimit të Instagramit dhe YouTubet.

Argumentet që u përdorën në gjyq përfshinin pretendimin se disa prej veçorive që krijojnë kompanitë e rrjeteve sociale, si forma “autoplay” e videove apo “scroll”, janë të dizajnuara t’i mbajnë njerëzit në aplikacione dhe i bëjnë të varur.