Studenti dhe aktivisti Mevlan Ademi ka reaguar ashpër përmes një statusi në Facebook lidhur me ndalimin e disa qytetarëve shqiptarë në pikën kufitare, duke kërkuar lirimin dhe lejimin e menjëhershëm të hyrjes së tyre në vend.
Në reagimin e tij publik, Ademi ka paralajmëruar edhe protesta para institucioneve në rast se situata nuk zgjidhet urgjentisht.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky reagim vjen në prag të protestës së paralajmëruar për lejimin e përdorimit të gjuhës shqipe, ku Ademi konsiderohet një nga organizatorët kryesorë të tubimit të sotëm.
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut lidhur me pretendimet për ndalimin e qytetarëve shqiptarë në kufi.
