“Mesazhi u dha”, kështu tha në Click Plus Mevlan Ademi për protestën që studentët shqiptarë organizuan para Ministrisë së Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të jetë edhe në gjuhën shqipe, shkruan TV21. Ademi falënderoi të gjithë studentët për përkrahjen, që siç tha, numri ishte shumë i lartë duke bërë të ditur se në peticion ishin rreth 400 nënshkrime nga studentë të juridikut. Ai tha se nuk priste kaq shumë përkrahje pasi dita e protestës ishte ditë pune, ndërkohë që falënderoi edhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, që siç theksoi, mbyllën dyqane e dolën nga puna në përkrahje të studentëve.
“Shumë njerëz sot kanë mbyllur dyqanet, shitoret e tyre, kanë dalë prej punë, kanë marrë ditë të lirë për t’iu bashkangjitur protestës duke parë që kauza është e sinqertë dhe se studentët kanë të drejtë”, tha Ademi.
