Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka njoftuar se tashmë ka nisur puna për vendosje të ashensorëve në të gjitha ndërtesat e vjetra në Çair, që nuk kanë ashensorë, përcjell TV21. Mexhiti tha se Muhamed Murtezi është caktuar si koordinator i projektit në fjalë.

“Me krenari njoftoj se fillojmë një projekt kapital për ndërtimin dhe instalimin e ashensorëve modernë në të gjitha ndërtesat ekzistuese në territorin e Çairit, të cilat nuk kanë, por kanë nevojë për ashensorë. Dua t’ju informoj se ekipet tona inxhinierike tashmë janë në terren. Ato po kryejnë vlerësime teknike të detajuara për secilën ndërtesë veçmas, me qëllim që të përcaktohen zgjidhjet më të mira dhe më të sigurta për instalimin e ashensorëve. Përgatitjet për realizim të projektit tashmë vijojnë. Analiza fillestare tregon se ekzistojnë kushte teknike, pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha, për të ndërtuar dhe instaluar 81 asensorë në 81 hyrje të 31 ndërtesave. Gjithashtu, po punojmë edhe për vlerësimin e të gjitha objekteve të tjera kolektive të banimit.

Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, prezantoi projektet sportive të parashikuara në programin e tij zgjedhor, duke theksuar se prioritet do të jetë revitalizimi i plotë i infrastrukturës sportive dhe krijimi i zonave sportive të qasshme për të gjithë qytetarët, përcjell TV21. Osmani paralajmëroi se fillimisht do të nisë me rikonstruksionin e sallave dhe terreneve ekzistuese sportive, me qëllim që ato të bëhen sërish të qasshme për sportistët dhe qytetarët e Çairit.

“Do të nisim me rivitalizimin e sallave dhe fushave sportive. Palestrën sportive ‘Enver Idrizi’ në Serovë me të gjitha nevojat që duhet të plotësohen për ofertë dhe shërbim sportiv në bazë të standardeve. Palestrën sportive ‘Vasil Gllavinov’ menjëherë, edhe pse e dini se është pjesë e projektit të Mishel Rojkind për shkollë të re, çerdhe të re, parkim nëntokësor dhe kënd lojërash. Pastaj palestra sportive ‘Imri Elezi’ në lagjen Dizhon, rinovim i tërësishëm i sallës. Palestra sportive ‘Liria’ në Gazi Babë, palestra ‘Shaban Tërstena’ dhe ‘Partizani’”, tha Osmani.