Gazetar: Zekirija Ismaili
Vetëm pak ditë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e 19 tetorit, retorika politike gjithnjë e më shumë ashpërsohet. Partitë përplasen sikur të jenë zgjedhje parlamentare e jo lokale. Izet Mexhitit i VLEN-it iu kundërpërgjigj deklaratave të kreut të integristëve Ali Ahmeti, i cili i quajti “zagarë” oponentët politikë. Sipas Mexhitit “shqiptari nuk tutet por del në mejdan”. Ai porositi Ahmetin se në politikë nuk duhet të përdoret frikësimi, gjuha e urrejtjes dhe as përçarja.
“Nuk po ua kthejmë prej burrërisë, e jo prej tutës, sepse shkupjani nuk tutët, kur e lyp nevoja, shkupjani e len qeverinë e del në mejdan. Prandaj po ju them: Jo ne nuk jemi zagarë, ne jemi shqiptarë. Jo, ne nuk jemi as hyzmeqarë, as gënjeshtarë, ne jemi njerëz me dinjitet. Jo ne nuk jemi tradhtarë, nuk e mbështesim “Open Balkanin”, nuk e njohim Daka Davidoviqin. Nuk i kemi shitur aksione bankës serbe. Nuk i kemi sjellë kazinotë serbo-ruse në mesin e shqiptarëve”, deklaroi Izet Mexhiti – VLEN.
Ndërkohë nga BDI ende nuk kanë dalë zyrtarisht me sqarime konkrete për atë se kujt Ahmeti ia faturoi fjalën ofenduese “zagarë”. Dy ditë më parë sekretari i përgjithshëm nga kjo parti, Faton Ahmeti vetëm theksoi se emërtimi kishte të bëjë për “ata që i shërbejnë VMRO-DPMNE-së”.
“Ato fjalë kanë qenë të dedikuara për të gjithë vasalët të cilët i shërbejnë politikës së VMRO-DPMNE-së. Kush janë vasalët? Të gjithë ata që i shërbejnë politikës së VMRO-DPMNE-së. Kush i shërben? Të gjithë ata që i shërbejnë”, tha Faton Ahmeti, AKI.
Ndaj deklaratave të Ahmetit reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja duke theksuar se Ahmeti nuk mund të jetë shqiponjë po thjeshtë një harabel i cili do të lutet për të hyrë në Qeveri pas zgjedhjeve. /Alsat.mk
The post Mexhiti i kundërpërgjigjet Ahmetit: Ne nuk jemi zagarë, jemi shqiptarë appeared first on Alsat.
