Gazetare: Fatlume Dervishi

Të gjitha eventet e filluara nga 2 gushti duke përfshirë edhe të fundit më 15 shtator, për të shënuar 35-vjetorin e pavarësisë së shtetit, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, shtetit nuk i kanë kushtuar asgjë nga buxheti. Kryeministri, duke u përgjigjur në akuzat e opozitës dhe mediave tha se eventet, ku kanë marrë pjesë edhe yje muzikore botërore, nuk janë bërë me para publike.

“Të gjithë këto ngjarje kanë kushtuar zero denarë nga buxheti. Edhe qytetarëve të gjithë këto ngjarje u kanë kushtuar zero denarë. Lirisht mund të kontrolloni Financat e hapura dhe ta shihni se kanë kushtuar zero denarë. Gjithçka është organizuar nga kompani të përgjegjshme shoqërore”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

LSDM-ja akuzon pushtetin për jotransparencë financiare për organizimin e këtyre eventeve. Së fundmi, ata kritikuan edhe fjalimin e kryeministrit në shënimin e eventit kryesor të përvjetorit të pavarësisë një ditë më parë. Mickoski tha se nëse shteti e shpërblen “fundërrinën”, mbetet pa elitën e vërtetë. LSDM-ja thotë se kryeministri me këtë fjalor përçan dhe nxit urrejtje.

“Mickoski fillimisht bëri thirrje të mos përçahemi, dhe pastaj menjëherë filloi të përçajë përsëri dhe aktivizoi fushatën e tij të famshme “fundërrinat”. Ajo që u vu re është se dje ai kërcënoi drejtpërdrejt se do t’i detyronte “fundërrinat” të përballeshin me drejtësinë, duke u ulur më pas pranë prokurorit të shtetit. Mesazhi është mjaft i qartë. Operacioni “fundërrina”, i cili në fakt përdoret për të përçarë dhe mbjellë urrejtje midis qytetarëve dhe të cilin Mickoski e ka zbatuar praktikisht që nga dita e parë e mandatit të tij, është i rrezikshëm nga natyra dhe nga baza e tij,

deklaroi Andrej Zhernovski, nga LSDM-ja.

Mickoski tha se pavarësisht që LSDM-së nuk i pëlqen, ai sërish mbetet në atë qëndrim.

“Sërish me vjen keq që LSDM-ja e gjen veten te “fundërrinat” por sërish do të them se “fundërrina” nuk është mirë ta fitojë elitën sepse atëherë elita do të shpërngulet dhe kjo s’është gjë e mirë”, tha kryeministri Mickoski. /Alsat.mk

The post Mickoski: Asnjë denarë nga buxheti për eventet muzikore të pavarësisë / Partitë përplasen për akuzar për “fundërrinat” e shoqërisë appeared first on Alsat.