“Zgjedhja e Prokurorit Publik të Shtetit duhet të bazohet në cilësi, jo në përshtatshmëri.” – Kështu u përgjigj prokurorja Lençe Ristovska ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, pasi ai dje publikisht, në një intervistë televizive, e përjashtoi nga gara për kandidat që Qeveria do ta shqyrtojë për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Shtetit.

“Kur një kandidat përjashtohet paraprakisht pa analizë të programit dhe rrugës së tij profesionale, kjo ngrit çështjen për natyrën e kritereve që zbatohen. Jam e bindur se një zgjedhje me këtë rëndësi duhet të bazohet në cilësi, jo në përshtatshmëri”, tha Lence Ristovska, Prokurore Publike.

Kryeministri Mickoski dje, në një intervistë televizive, i pyetur nëse janë në garë të katër kandidatët nga lista që Këshilli i Prokurorëve Publikë i dërgoi Qeverisë, përfshirë edhe Lence Ristovskën, u përgjigj:

“ Absolutisht jo të gjithë janë në garë dhe qëndrimi im lidhur me atë emër është absolutisht se ai emër nuk është në garë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Pas deklaratës së kryeministrit u ashpërsua edhe retorika partiake. LSDM e akuzoi Mickoskin për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Shtetit dhe për “varrosje” të shtetit të së drejtës.

“Edhe pse Ristovska mori maksimumin 10 nga 10 pikë nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe vlerësim pozitiv për profesionalizmin dhe ekspertizën e saj. Mickoski vendos vetë se ajo “nuk është në garë”, drejtpërdrejt në televizion. Një prokuror publik i pavarur nuk i përshtatet Mickoskit, sepse nuk mund ta kontrollojë”, thonë nga LSDM.

U pergjigjen nga VMRO-DPMNE. Ata thonë se Ristovska, e mësuar me përshtatshmërinë nga koha e PPS-së, duhet ta dijë se këto janë kohëra tjera.

Duhet të jemi të sinqertë, përshtatshmëria është atributi dhe cilësia më e fortë e Ristovskës dhe moszgjedhja e saj është pikërisht sinjal se kjo këtu nuk është vendimtare, por kritere shumë më të ndryshme dhe më të rëndësishme”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë, përveç Ristovskës, dhanë mendim pozitiv edhe për prokuroret Anita Topolova-Isajllovska, Lidija Rajçeviq dhe për gjyqtarin Nenad Saveski. Nga gara u eliminua ish-gjyqtari penal Vladimir Pançevski. Tani në radhë është Qeveria, e cila do të vendosë se cilin emër do ta dërgojë në Kuvend, ku duhet të zgjidhet Prokurori i ri i Shtetit.