LSDM përmes platformës së re ideologjike njoftoi se do të ushtrojë presion të fortë ndaj pushtetit në lidhje me integrimet evropiane. Kryetari i socialdemokratëve Venko Filipçe tha se do të kërkojë plan të qartë shtetëror për hapjen e klasterëve dhe kapitujve në negociata me afate, përgjegjësi politike dhe llogaridhënie të plotë publike. Ai tha se do të insistojë në këtë, sepse, siç theksoi, vendi nuk guxon ta humbasë shansin e dyerve të hapura evropiane. Këto mesazhe kryeministri Hristijan Mickoski nuk deshi t’i komentojë dhe tha se LSDM kujdeset vetëm për interesin e saj personal.
“Për fat të keq, LSDM vazhdon të jetë indi i butë i identitetit kombëtar maqedonas. Më vjen keq që nga një parti dikur shtetformuese është shndërruar në një grup që lufton për të mbrojtur inte resin e vet personal. Por është siç është. Tani ata kanë zgjedhur një politikë të tillë, të sillen kështu, ne këtu nuk mund të bëjmë më shumë, prandaj ndonjëherë ndoshta as nuk duhet të komentojmë gjithçka që ata thonë”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Nga LSDM sërish bëjnë thirrje për bashkim i cili, sipas tyre, përmes platformës së re do të ofrojë vizion për zhvillim ekonomik dhe vlera evropiane.
“Evropa nuk është një qëllim politik abstrakt, por jetë më e mirë në shtëpi, paga më të larta, sundim i ligjit dhe më shumë shanse për çdo njeri. Maqedonia nuk duhet të mbetet e bllokuar në nacionalizëm, populizëm dhe manipulime politike që e largojnë nga e ardhmja evropiane. Në vend të ndarjeve, LSDM ofron vizion për bashkim rreth interesave shtetërore, zhvillim ekonomik dhe vlera evropiane përmes një fronti më të gjerë për të vërtetën dhe drejtësinë”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Filipçe në fjalimin e djeshëm në kongres doli me kritika të ashpra ndaj pushtetit, duke thënë se demokracia po zbehet dhe çmimet po rriten. Ai kërkoi që, nëse qeveria nuk arrin ta çojë vendin drejt Bashkimit Evropian, të largohet.
