Kryeministri Mickoski refuzon çdo mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në pranverë. Ai nuk pranoi as opsionin për të cilin shpreson BDI, se nëse fiton në zgjedhjet lokale kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo Qeveri ka legjitimitet të plotë; më shumë se 600 mijë qytetarë në zgjedhjet e vitit të kaluar votuan për këtë Qeveri, tha Mickoski.

“Unë kuptoj se ka parti politike që, përveç ndarjeve dhe, do të thoja, daljeve nacionaliste, nuk kanë program tjetër, prandaj për të mobilizuar strukturat dhe votuesit e tyre, e vetmja gjë që mund të thonë në këtë moment është të përsërisin “zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të parakohshme”. Dhe VMRO-DPMNE i fitoi ato bindshëm me rezultat historik në vitin 2021 në zgjedhjet lokale, duke qenë në opozitë për 3 vjet”, pohoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Por nga BDI, partia që udhëheq koalicionin AKI, nuk heqin dorë dhe janë të bindur se megjithatë, pas zgjedhjeve lokale, do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Menjëherë pas zgjedhjeve lokale, do të ketë zgjedhje parlamentare. Në Qytetin e Shkupit, nuk e di nëse i keni parë sondazhet, raporti është pothuajse 8 me 2; Aleanca Kombëtare për Integrim 8 me 2 është raporti në Qytetin e Shkupit. Shkojmë në zgjedhje të parakohshme, i dini rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme, do të ketë qeveri të re në mars, do të ketë përbërje të re në Qytetin e Shkupit, prandaj unë i kam përllogaritur të gjitha, edhe Qytetin e Shkupit, edhe Qeverinë”, theksoi Bujar Osmani, nënkryetar I BDI-së.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, VLEN është kundër mbajtjes së tyre, ndërsa nga LSDM thonë se janë të përgatitur. Ndërkaq, temën e zgjedhjeve e ndezi pikërisht kryeministri Mickoski, i cili javën e kaluar la të hapur mundësinë, për të cilën BDI angazhohet fuqishëm.