Kryeministri Mickoski ka folur sot për njoftimet e Agjencisë për Siguri Kombëtare për përgjimin e tij gjatë kohës kur ishte në opozitë, përgjimin e gazetarëve si dhe të biznesmenëve. Pa hyrë në detaje, për shkak të klasifikimit të dokumenteve, Micksoki tha se dy Agjencitë e Sigurimit janë marrë me të. Ai kërkon nga Prokuroria që të veprojë ndërsa shpreson se përgjegjësit për këtë të përfundojnë prapa grilave. Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka dorëzuar në Prokurori 3 njoftime për një ish drejtor dhe një grupi të të punësuarve në ASK, për shkak të indikacioneve për veprim joligjor, joprofesional dhe joetik. Njoftimet siç njoftojnë nga ASK, janë rezultat i hetimit të brendshëm të realizuar pas ndërrimit të pushtetit në vitin 2024, ndërsa kanë të bëjnë me periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024.

“Nuk mund të flas për detajet, është sekret shtetëror, është klasifikuar, dokumentet. Por është fakt se dy Agjencitë, ajo e Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare janë marrë në atë kohë me liderin e opozitës, me mua, ndërkohë edhe me gazetarë, biznesmenë. Në këtë kohë ta lëmë procesi të rrjedhë, ta shohim çka do të thotë Prokuroria, gjykatësit në një proces gjyqësor. Jam mësuar, ja po kalon viti i 8 kur jam në krye të VMRO-së, jam mësuar me njerëz të tillë. Nuk më befason ajo, edhe atëherë tek ne vinin informacione se çka po ndodh, ata njerëz nuk kanë në jetë motiv të merren me punë të mira, dhe merren me jetën e të tjerëve duke menduar se në atë mënyrë do të fitojnë ndonjë lëvdatë, ndonjë përparësi tek urdhërdhënësit e tyre dhe do të përparojnë kështu në karrierë, por çdo punë e ka fillimin e saj dhe fundin gjithashtu. Pres që këta të përfundojnë aty ku e kanë vendin, prapa grilave një herë e përgjithmonë t’i jepet fund keqpërdorimit Agjencisë së kësaj natyre dhe resurseve të cilat i posedon”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër. /Alsat.mk

.

The post Mickoski ka folur sot për njoftimet e ASK-së për përgjimin e tij gjatë kohës kur ishte në opozitë, përgjimin e gazetarëve si dhe të biznesmenëve appeared first on Alsat.