Përmes panel diskutimeve, VMRO-DPMNE mbajti debat në të cilin dha llogari për punën e kryetarëve të saj t; komunave gjatë 4 viteve të fundit. Kryeministri dhe kryetar i partisë Hristijan Mickoski i lavdëroi kryetarët dhe tha se ata kanë punuar me ndershmëri dhe përgjegjësi. Ai pranoi gjithashtu se kandidatura e Danella Arsovskës për kryetare të Shkupit ishte gabim i tyre i madh.

“Katër vite më pas, gjëja më e vlefshme është që nuk keni asnjë aferë pas vetes, asnjë rast kriminal dhe asnjë gjë që do të sillte turp për partinë, për familjet tuaja dhe më e rëndësishmja për qytetarët. Gabim ishte që besuam se disa njerëz do të jepnin shumë më tepër se sa pamë. Ata njerëz, edhe pse tani nuk kanë mbështetjen tonë dhe nuk janë pjesë e koalicionit tonë, jam i vetëdijshëm se ishin zgjedhja jonë e gabuar”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër / Kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, LSDM me një seri deklaratash të kandidatëve të tyre për kryetarë të komunave kritikuan punën e pushtetit lokal aktual nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, tha se katër vitet e pushtetit lokal të VMRO-DPMNE-së ishin vite zhgënjimi.

“Katër vite që në vend të zhvillimit dhe projekteve për qytetarët, sollën vetëm zhgënjime, komuna të papastra, kaos urbanistik, çmime më të larta për qytetarët dhe shumë skandale me tenderë. Komunat nën drejtimin e VMRO-DPMNE-së u kthyen në epiqendër të skemave të tenderëve dhe keqpërdorimeve partiake të parave të qytetarëve. Përmes kompanive të afërta me pushtetin, paratë e qytetarëve nxirreshin sistematikisht”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.

Zgjedhjet lokale janë caktuar për 19 tetor, dhe partitë, edhe pse zyrtarisht fushata ende nuk ka nisur, tashmë janë në garë për të fituar më shumë vota.