Kujtimi është detyrë morale, ndërsa lufta kundër urrejtjes përgjegjësi historike, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij përkujtimor për 83-vjetorin e deportimit të 7,144 hebrenjve maqedonas në kampin e vdekjes Treblinka.

Ai theksoi se sot qëndrojmë në heshtje dhe me respekt të thellë para një prej faqeve më të dhimbshme të historisë sonë, duke u kujtuar për deportimin e hebrenjve maqedonas, një tragjedi që shënoi përgjithmonë kujtesën tonë kolektive.

“Në mars të vitit 1943, më shumë se shtatë mijë qytetarë tanë-hebrenj nga Shkupi, Manastiridhe Shtipi – u mblodhën me forcë, u ndanë nga shtëpitë, familjet dhe jeta e tyre. Ata u deportuan në kampin e vdekjes Treblinka, ku jetët e tyre u ndërprenë në mënyrë të egër. Pas atij numri qëndrojnë emra, familje, ëndrra, talente, fatkeqësi. Qëndrojnë njerëz që ishin pjesë e qyteteve tona, tregtisë, kulturës dhe shpirtit të Maqedonisë. Me zhdukjen e tyre, vendi ynë humbi një pjesë të shpirtit të tij”, tha Mickoski.

Kryeministri theksoi se kujtimi sot nuk është vetëm për tragjedinë, por edhe për detyrën për të parandaluar urrejtjen, antisemitizmin, racizmin dhe intolerancën në shoqërinë tonë.

“Por sot nuk kujtojmë vetëm tragjedinë. Kujtojmë edhe detyrën. Detyra është të mos lejojmë kurrë që urrejtja, antisemitizmi, racizmi dhe intoleranca të marrin vend përsëri në shoqëritë tona. Historia na mëson se e keqja fillon me fjalë, me paragjykime, me indiferencë, dhe përfundon me tragjedi që trondisin njerëzimin. Prandaj sot, si shtet dhe si shoqëri, rinovojmë betimin tonë: do të ruajmë të vërtetën, do të kultivojmë kujtimin dhe do të mbrojmë dinjitetin njerëzor. Maqedonia është shtëpi e dallimeve. Fuqia jonë ka qenë gjithmonë në faktin që kultura, feja dhe traditat e ndryshme jetuan bashkë, duke krijuar një të ardhme të përbashkët”, theksoi Mickoski.

Mickoski nënvizoi se komuniteti hebre ka lënë një gjurmë të paharrueshme në historinë e vendit, dhe kontributi i tij në kulturë, arsim, ekonomi dhe jetën shoqërore është pjesë e trashëgimisë tonë të përbashkët.

“Sot, kur kujtojmë viktimat e Holokaustit, dërgojmë një mesazh të qartë: kujtimi është detyrë morale, ndërsa lufta kundër urrejtjes – përgjegjësi historike. Le të jetë përjetë kujtesa e hebrenjve maqedonas të deportuar. Le tragjedia e tyre të shërbejë si paralajmërim për të gjitha brezat që vijnë. Lavdi e përjetshme dhe kujtim i përjetshëm për ta”, u shpreh Mickoski.

Në përkujtim morën fjalë edhe presidenti i Komunitetit Hebre në Maqedoni, Pepo Levi, dhe ambasadorja gjermane Petra Dreksler. Kryeministri, përfaqësuesit e qeverisë dhe të tjerët vendosën lule para memorialit në ish-Monopolit në Shkup.