Dy dekada e gjysmë pas fillimit të rrugës sonë drejt anëtarësimit në BE, ne ende jemi në vendin e njëjtë, jo sepse nuk i përmbushëm Kriteret e Kopenhagës, por për shkak të disa arsyeve artificiale, porositi kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin e sotëm për zgjerimin në Bruksel, i organizuar nga ana e televizionit Euronjuz.
Mickoski potencoi se vendi e filloi udhëtimin drejt BE-së para 25 vjetëve, kur e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me Unionin, u bë kandidat për anëtarësim në vitin 2005, bashkë me Kroacinë, me të cilën e mori edhe raportin e parë pozitiv për fillimin e bisedimeve në vitin 2009, por për fat të keq sot është në vendin e njëjtë ku ishte edhe para 25 vjetëve.
“Jo, për shkak të Kritereve të Kopenhagës, jo për shkak të mospërmbushjes së disa detyrimeve, por për shkak të disa kontesteve artificiale, siç është flamuri ynë kombëtar, emri ynë kombëtar, emri i vendit, për shkak të këtij ndryshimi në kushtetutë, dhe pastaj për shkak të atij. Dhe tani po përballemi përsëri me një pengesë tjetër, një kufizim tjetër që na është imponuar për ndryshimin e Kushtetutës”, theksoi kryeministri.
Mickoski theksoi se edhe krahas këtyre pengesave, ne ende besojmë se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian.
“Ne jemi pjesë e kontinentit evropian dhe besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE përfaqëson vlerë të shtuar për vetë BE-në, dhe kjo do të thotë një lloj ribashkimi i kontinentit evropian dhe mendoj se e ardhmja e vendit tim dhe e ardhmja e popullit tim, maqedonasve, është në Bashkimin Evropian. Prandaj, pavarësisht të gjitha këtyre poshtërimeve dhe zhgënjimeve dhe pavarësisht frustrimit aktual të qytetarëve tanë, ne ende ndajmë të njëjtat vlera”, theksoi Mickoski.
Ai potencoi se kur Marrëveshja e Prespës “ishte në tavolinë”, shumë persona nga të gjitha anët jashtë vendit na bindnin se ne jemi të parët në rajon dhe jemi larg vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe menjëherë sapo të gjejmë zgjidhje për kontestin me emrin me Greqinë do të bëhemi anëtare e NATO-s, ndërsa për katër ose pesë vjet edhe e BE-së.
“Ato katër ose pesë vjet kaluan para dy vjetëve dhe ne jemi në vendin e njëjtë ku ishim para dy dekada e gjysmë. Pse? Sepse para nesh kemi pengesë të re, kufizim të ri, përsëri ndryshim të Kushtetutës”, tha Mickoski.
Sipas tij, thelbi i atyre ndryshimeve kushtetuese është përfshirja në Preambulën e Kushtetutës të një pjesë të popullit bullgar që jeton në vendin tonë, ndërsa bëhet fjalë për disa qindra njerëz, të cilët në regjistrimin e fundit u deklaruan se gjuha e tyre amtare është gjuha bullgare.
Ai potencoi se tani parashtrohet pyetja nëse ai ndryshim i Kushtetutës do të jetë gjëja e fundit që duhet të bëjmë ose në të ardhmen do të ketë edhe kërkesa të reja.
“Pse duhet të përfshijmë disa qindra qytetarë të vendit tonë në Kushtetutën tonë? Po flasim për mosrespektimin e të drejtave të njeriut të dikujt? Kush jemi ne politikanët për të vlerësuar nëse e drejta e dikujt është shkelur apo jo? Ne vetëm mund ta keqpërdorim atë çështje. Institucioni i vërtetë që vlerëson nëse e drejta e dikujt është shkelur apo jo është në Strasburg dhe quhet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, theksoi Mickoski.
Kryeministri theksoi se në vitet e fundit, ajo Gjykatë ka vendosur 14 herë në favor të bashkësisë maqedonase në Bullgari dhe asnjë herë në favor të bashkësisë bullgare në vend, gjë që ngre pyetjen se pse duhet ta ndryshojmë Kushtetutën dhe çfarë ndodh me të drejtat e njeriut të anëtarëve të bashkësisë maqedonase në Bullgari. Sipas Mickoskit, pikërisht për këtë arsye Qeveria po ngre çështjen e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Ai theksoi se disa qindra pjesëtarët e bashkësisë bullgare në vend i kanë të gjitha të drejtat dhe janë pjesë e institucioneve tona, ndërsa nga ana tjetër dhjetëra mijëra pjesëtarëve të bashkësisë maqedonase në Bullgari nuk u lejohet as të regjistrojnë organizata joqeveritare.
“Por, në rregull. Ata janë në BE, ne jemi jashtë dhe ky është një lloj ‘ngacmimi’, por në rregull. Ne, do të donim ta shihnim veten në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe cili është çmimi tani dhe a është ky çmimi i fundit që duhet të paguajmë? Kjo është pyetja e vërtetë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se nëse BE-ja lejon sjellje të tillë dhe të vendosë veto dikujt që dëshiron t’i bashkëngjitet që të funksionojë, atëherë ajo recetë do të mund të shfrytëzohet edhe në raste të tjera, me çka do të dëmtohen parimet dhe vlerat në të cilat është ndërtuar Unioni.
“Vetë Bashkimi Evropian duhet të pyesë veten se çfarë po bën. Çfarë po bën me unanimitet dhe nëse është në përputhje me parimet dhe vlerat mbi të cilat po zhvillohet. Nuk jam i befasuar dhe kjo ndoshta do të ndodhë në të ardhmen përsëri e përsëri, sepse funksionon. Padyshim që funksionon, sepse dy dekada e gjysmë më parë e filluam këtë udhëtim dhe tani jemi në të njëjtin vend ku ishim atëherë. Pse, sepse dikush po e keqpërdor këtë mjet”, theksoi Mickoski.
Kryeministri potencoi se edhe krahas të gjitha pengesave, mbështetja e qytetarëve të Maqedonisë për anëtarësim në BE është në mesin e më të lartave në rajon, por në të njëjtën kohë ishte dëshmitar edhe se shumë njerëz të rinj për shkak të situatës së tillë dhe ndjenjës së pashpresë u larguan nga vendi dhe tani jetojnë në shtetet evropiane.
“Kur u zgjodha kryeministër, thashë në rregull, kjo është një pengesë, ndoshta do të ketë shumë sfida para nesh deri në fund. Fati i të mëdhenjve është të bëjnë atë që munden, dhe i të vegjëlve atë që duhet. Fatkeqësisht, ne jemi të vegjël, kështu që le të bëjmë detyrat e shtëpisë, të krijojmë një mjedis të mirë, t’i kthejmë të rinjtë në shtëpi dhe të zhvillojmë diçka që do të jetë e mirë për ta. Le të bëjmë detyrat e shtëpisë që do të impresionojnë BE-në dhe pastaj ndoshta dikush në BE do të thotë mjaft është. Le të bëjmë diçka për ta, sepse përndryshe kjo do të minojë vlerat tona dhe praktikisht nuk ka të ardhme”, tha Mickoski.
Për këtë, sipas tij, është e nevojshme që vendi ta përfundojë detyrën e tij të shtëpisë dhe të ofrojë, që tashmë është e dukshme nga hyrja e Qeverisë së re në ekonomi, është realizuar rritje më e madhe reale ose nominale e PBB-së në krahasim me vitin e kaluar, kemi shkallë të ulët të inflacionit dhe situata makroekonomike është mjaft e mirë.
“Dhe njerëzit kthehen në shtëpi, që është mirë dhe inkurajuese”, përfundoi kryeministri Mickoski.

