Prodhimi industrial po shënon rezultate pozitive, gjë që është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh zhvillimet në botë, por edhe në Bashkimin Evropian, i cili është partneri ynë më i madh tregtar. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se ajo që e inkurajon është rritja e qarkullimit në industri për më shumë se 5.5 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Sipas tij, kjo tregon se qarkullimi industrial po rritet si në tregun vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, ndërsa kjo është konfirmuar më herët edhe nga rritja e eksportit. Mickoski vlerësoi se këto janë lajme të këqija për opozitën, e cila, sipas tij, dëshiron që vendi të shënojë rezultate negative dhe jo pozitive.
“Të gjithë treguesit dëshmojnë atë që e kemi thënë që në fillim, se duhet durim dhe se gjërat duhet t’i konsolidojmë gradualisht. Ja, më në fund, pas gati dy vitesh e gjysmë, arritëm në pikën zero, ndërsa më parë ishim në një minus të thellë. Arritëm në pikën nga e cila duhet të nisë dikush që është në pushtet. Tani pres vetëm rritje, por kjo nuk varet gjithmonë vetëm nga ne, por edhe nga gjendja në botë. Shpresoj që shumë shpejt të mund të flasim për zhvillim më intensiv”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri këto komente i bëri gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore në projektin për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në vendbanimin rural Kamenik, në Komunën e Kisella Vodës.
