Mickoski: Pa garanci nga BE, ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin

Askush nuk ka të drejtë të presë që kjo qeveri të bëjë pa kushte ndryshime në Kushtetutën e vendit, deklaroi dje kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, biseda me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila pardje ishte në Maqedoni në kuadër të turneut të saj ballkanik, ka qenë miqësore dhe temat që janë diskutuar kanë qenë të shumta.

Ai në emisionin “Vetëm intervistë” theksoi se “askush nuk jeton nën iluzione” dhe e di mirë se ndryshimet kushtetuese – përfshirja e bullgarëve në Preambulë – janë kusht për hapjen e klasterëve negociues, por përderisa ai është kryeministër, “ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin pa përmbushjen e qartë të detyrimeve nga fqinji lindor dhe pa garanci konkrete nga Bashkimi Evropian.”

“Askush nuk ka të drejtë, as nuk është e drejtë të pritet që kjo qeveri ta bëjë këtë pa kushte, dhe as qeveria nuk ka ndërmend ta bëjë derisa unë jam kryeministër. Kjo duhet të jetë e qartë, e kam thënë shumë herë: kërkojmë respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare, dhe edhe fqinji ynë lindor ka detyrime. Ne duam garanci. Dhe nëse BE me të vërtetë dëshiron ta shohë Maqedoninë në shoqërinë e saj, le të bëjë të paktën pak nga ajo që e bën për disa vende të tjera. Ky është qëndrimi ynë i qartë,” tha Mickoski.