Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se çmimet e energjentëve në Evropë janë në nivele alarmante, deri në tri herë më të larta se vitin e kaluar, përcjell TV21. Megjithatë, ai siguron se Qeveria do të bëjë përpjekje që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe të kufizohet rritja e çmimit të ngrohjes qendrore. Mickoski theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e standardit të qytetarëve dhe se Maqedonia do të vazhdojë të ketë ndër çmimet më të ulëta të energjisë dhe karburanteve në Evropë.
“Jo vetëm që situata nuk po qetësohet, por përkundrazi, po përkeqësohet. Çmimet po rriten ditë pas dite. Dje po e ndiqja çmimin dhe këtë mëngjes gazi u shtrenjtua përsëri, duke kaluar mbi 90 euro për megavat-orë. Javën e kaluar ra në rreth 80 euro, ndërsa tani është sërish mbi 90 euro. Si Qeveri, konkretisht përmes SHA EMV-së, do të paraqesim ofertë në thirrjen publike të EVN Home me të njëjtin çmim si herën e kaluar. Pra, nuk do të kërkojmë rritje të çmimit. Sa i përket shtetit, do të përpiqemi t’i mbulojmë kostot dhe të shmangim çdo shtrenjtim. Nuk mund të flas për kompanitë private që marrin pjesë në këtë proces, pasi kjo është politikë e tyre autonome dhe nuk mund të ndërhyj në vendimet e tyre. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, së bashku me SHA EMV-në, ish-ELEM-in, kemi hartuar një model dhe një plan biznesi sipas të cilit nuk do të kërkojmë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Produkti do të ofrohet me të njëjtin çmim. Po flas për kompaninë shtetërore SHA EMV, e cila deri në fund të vitit 2027 synon të arrijë fitim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
