Kryeministri Hristian Mickoski thotë se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale. I pari i ekzekutivit shton se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

 “Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, tha Hristian Mickoski – kryeministër.

Sipas LSDM, paga e punëtorëve duhet të rritet tani, jo pas dy vjetësh. Sipas socialdemokratëve, për mijëra familje paga minimale është burimi i vetëm ose dominues i të ardhurave, prandaj shteti është i detyruar të sigurojë fonde për rritjen e saj në 600 euro.

“Punëtorëve nuk u nevojiten justifikime as paralajmërime për pas dy vjetësh. Punëtorëve duhet t’u rriten pagat tani, këtë vit, sepse paratë nuk u mjaftojnë nga dita e parë e muajit deri tek dita e fundit. Niveli aktual prej 400 eurosh i pagës minimale nuk siguron mbrojtje të mjaftueshme për standardin e jetesës dhe nuk ndjek strukturën reale të shpenzimeve të një familjeje mesatare. Punëtorët në të vërtetë luftojnë për një copë bukë dhe nuk mund të presin deri në vitin 2028. Maqedonia sot ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe në Evropë. Mickoski krenohen se jemi ekonomia e 4-t në Evropë, atëherë pse nuk jemi në vendin e 4-t për nga niveli i pagave?”, thonë nga LSDM.

LSDM paraqiti Ligjin për Rritjen e Pagës Minimale në 600 euro, duke vlerësuar se është një masë realiste dhe e nevojshme për të mbrojtur standardin e jetesës së punëtorëve, në përputhje me kërkesat e qarta të sindikatave dhe kushtet aktuale ekonomike në vend. Ndërkaq, sindikalistët kërkojnë pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera. Janë të prerë se nëse qeveria nuk ka vullnet të ulet dhe të negociojë për zgjidhjen e çështjes së pagave, do të vazhdojnë me bllokada të rrugëve dhe institucioneve. Nuk përjashtojnë as bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin publik, por edhe për herë të parë në histori edhe në sektorin privat.