Me kërkesë të kryeministrit Hristijan Mickoski, Ministria e Financave ka marrë vendim për ndërprerjen e pagesave nga IPARD, me arsyetimin se duhet hetuar çdo keqpërdorim, pasi ekziston dyshim se ato nuk kanë ndodhur vetëm tani, por edhe më herët. Në pyetjen nëse BE-ja i ka bllokuar fondet e IPARD-it, Mickoski tha se ato nuk janë bllokuar, përkundrazi, “veprimi është përshëndetur nga Komisioni Evropian”.
“Po, unë e kërkova këtë, sepse duhet të shohim sa larg kanë shkuar keqpërdorimet. Informacionet e para tregojnë se nuk kanë filluar tani, por edhe më parë. Do të hetojmë gjithçka, dhe kushdo që mendon se do t’i shpëtojë, gabon. Do të përgjigjen të gjithë – nga i pari deri te i fundit, pa përjashtim”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së.
Nga LSDM reagojnë se pezullimi i fondeve IPARD po sjell pasoja të mëdha për bujqit dhe kërkojnë publikimin e të dhënave financiare si dhe shkarkimin e Tripunovskit. Ata paralajmërojnë se pezullime të tilla mund të zgjasin dy deri në tre vjet, dhe është e pasigurt nëse programi IPARD do të vazhdojë pas këtij skandali.
“Pasi skandali që LSDM e paralajmëroi u konfirmua, është koha që pushteti t’u përgjigjet pyetjeve kyçe që prekin bujqit dhe opinionin publik. Është koha të shohim edhe dorëheqjen e Tripunovskit, që i shmanget përgjegjësisë. Qytetarët duhet ta dinë se fondet IPARD, që tani janë pezulluar, ndahen si 50% grant për bujqit dhe 50% financim i siguruar prej tyre për çdo projekt”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Nga Delegacioni i BE-së në vend kanë konfirmuar se Komisioni Evropian ka kërkuar informacione shtesë nga institucionet maqedonase dhe se “e ruan të drejtën të ndërmarrë masa parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së”.
“E përshëndesim vendimin e institucioneve nacionale për pezullimin e të gjitha pagesave nga IPARD III derisa të sqarohen rrethanat. Meqenëse hetimet janë në zhvillim, nuk mund të japim komente shtesë. Presim që institucionet e Maqedonisë së Veriut të veprojnë me seriozitet të plotë. BE-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fermerëve, bujqësisë dhe zonave rurale, për sa kohë fondet e saj administrohen siç duhet”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së në Shkup.
Ndryshe, drejtori aktual i Agjencisë së Pagesave, Ilija Stoilev, është kapur duke marrë ryshfet prej 400 eurosh – pjesa e parë e një shumë të premtuar prej 50 mijë eurosh. Paratë ia kishte ofruar ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale dhe i Drejtësisë, Xhevdet Nasufi, tani pronar i një kompanie agrobiznesi në Strugë. Nasufi akuzohet për dhënie ryshfeti dhe ndikim të paligjshëm, ndërsa Stoilev për marrje ryshfeti. Të dy, së bashku me dy persona të tjerë, janë dërguar në paraburgim, ndërsa e pesta e dyshuar është në arrest shtëpiak.

