Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot në Beograd në hapjen e panairit të tretë ndërkombëtar “Wine Vision” tha se ky manifestim është dëshmi e bashkëpunimit, vizionit dhe përkushtimit të vendeve të Ballkanit të Hapur drejt përmirësimit të lidhjeve ekonomike, shkëmbimit kulturor dhe promovimit të turizmit.

Mickoski mes tjerash theksoi se vera është trashëgimi kulturore e kësaj pjese të Evropës.

“Vera, si trashëgimi kulturore e kësaj pjese të Evropës, është shumë më tepër se një produkt. Ajo është një simbol i historisë, tokës dhe mundit tonë, por gjithashtu një urë mes njerëzve, duke ndihmuar në ndërtimin e mirëkuptimit dhe miqësisë. Maqedonia ka më shumë se 28,000 hektarë vreshta, dhe prodhon rreth 100 milionë litra verë çdo vit, nga të cilat pothuajse 70% eksportohen në mbi 40 shtete nëpër botë. Vreshtat tona, të cilat shtrihen në rajone si ai i Tikveshit, Vardarit dhe Pellagonisë, janë disa nga më diellorët në Evropë, me mbi 270 ditë diellore në vit, gjë që kontribuon në cilësinë e rrushit”, deklaroi kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.

Ndër të tjera kryeministri Mickoski, gjithashtu theksoi se në krahasim me shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dallohet për balancën ndërmjet sasisë dhe cilësisë së verës së prodhuar. Shtoi se 50% e verës së prodhuar ka etiketë për origjinën gjeografike.

“Jemi veçanërisht krenarë për varietetet tona autoktone, si Vraneci dhe Stanushina, të cilat po bëhen brende të njohura në skenën ndërkombëtare. Në krahasim me shtetet fqinje, Maqedonia dallohet për balancën ndërmjet sasisë dhe cilësisë së verës së prodhuar. Sipas të dhënave, 50% e verës së prodhuar maqedonase ka etiketë për origjinë gjeografike, çka thekson angazhimin tonë për cilësi të lartë. Për më tepër, sektori i verës kontribuon me 3% në BPV-në totale të vendit, duke siguruar punësim për mbi 20,000 persona, nga vreshtarët tek prodhuesit dhe eksportuesit. Me këtë, Maqedonia bëhet eksportuesi kryesor i verës në rajon sipas numrit të litrave për kokë banori”, potencoi kryeministri Hristijan Mickoski./tv21.tv/