Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Laplandën e Finlandës, pasi një valë e fortë të ftohti ka ndaluar fluturimet nga një prej aeroporteve të saj.
Nisjet nga aeroporti i Kittilës në Lapland, që do të transportonin udhëtarët drejt vendeve si Londra, Bristoli, Mançesteri, Parisi dhe Amsterdami, u anuluan të gjitha të dielën, pasi temperaturat nuk u rritën mbi -35°C.
Problemi pritet të vazhdojë edhe të hënën, pasi agjencia meteorologjike e Finlandës ka parashikuar një temperaturë minimale prej -39°C. Fluturimi i parë që duhej të nisej nga Kittila tashmë është anuluar.
I ftohti ekstrem e bën të vështirë shkrirjen e akullit nga avionët, ndërsa pajisjet e mirëmbajtjes dhe furnizimit me karburant në tokë mund të ngrijnë.
Operatori i aeroportit, Finavia, i ka thënë transmetuesit publik Yle se lagështia në ajër po e përkeqëson situatën, pasi po krijonte shumë akull.
Megjithëse Laplanda, që shtrihet në veri të Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës, njihet për të ftohtin dhe borën, Laplanda finlandeze zakonisht ka një temperaturë mesatare dimërore prej -14°C, me ulje të herëpashershme deri në -30°C, sipas bordit turistik të vendit.
Aeroporti i Kittilës shërben kryesisht për njerëzit që duan të udhëtojnë drejt resorteve të afërta të skive dhe për të parë Dritat Veriore, ndërsa aeroporti i Rovaniemit, më në jug, është destinacioni “zyrtar” për vizitorët e shtëpisë folklorike të Babagjyshit të Vitit të Ri.
Të hënën, fluturimi i parë lokal që duhej të mbërrinte në Kittila u anulua, ndërsa fluturimet ndërkombëtare u vonuan.
I ftohti i pazakontë në Lapland vjen në një kohë kur një stuhi që po kalon mbi Evropën Veriore ka sjellë kushte dimërore dhe ndërprerje të udhëtimeve në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani.
