Gazetar: Miki Trajkovski

Propozimi i Gjermanisë dhe Francës për integrimin gradual në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë, është propozim që ofron mundësi për integrim sa më të madh, por njëkohësisht ofron edhe anëtarësim që në këtë moment nuk do të ishte i plotë, thotë deputeti Antonio Milloshoski. Sipas tij, nëse kjo vërtetohet si ofertë zyrtare, Maqedonia duhet t’i qaset pozitivisht. Megjithatë, Milloshoski pranon se vendet më afër BE-së deri në vitin 2030 janë Mali i Zi dhe Islanda.

“Bazuar në informacionet jozyrtare që kam, mendoj se i vetmi shtet nga rajoni që do të kishte mundësi deri në vitin 2030 të bëhet anëtar, qoftë me të drejta të plota apo në një fazë tjetër me kufizime të caktuara, është Mali i Zi. Nëse Islanda merr qëndrim pozitiv në referendumin e saj për vazhdimin e procesit të bisedimeve, ndoshta edhe ajo mund ta ketë këtë mundësi deri në vitin 2030. Ndërsa për Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Moldavinë, Ukrainën, Turqinë dhe vendet e tjera, me shumë gjasë do të vlejë kjo ofertë për integrim gradual në sektorë të caktuar të BE-së, varësisht nga standardet e përmbushura.” – Antonio Milloshoski – Kryetar i Komisionit për Çështje Europiane.

Pavarësisht sinjaleve pozitive nga Brukseli, reformat e nevojshme duhet të zbatohen.

“Tani mendoj se nuk ka asnjë pengesë dhe absolutisht asnjë alternativë ndaj zbatimit të reformave që janë dakorduar për anëtarësim në BE. Edhe përfshirja në tregun e përbashkët kushtëzohet nga përmbushja e reformave të dakorduara. E di se ekziston një lodhje e caktuar nga zgjerimi, veçanërisht kur flasim për Maqedoninë e Veriut. Por mendoj se tani ekziston vërtet një dritare e mundësive brenda BE-së, duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, e cila do të mundësojë që më në fund të ndodhë zgjerimi që pritet gjatë kohë.” – Jelena Millosh – Kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin kroat.

Edhe pse kryetari i Këshillit Europian, Antonio Kosta, para disa ditëve i bëri të qarta kërkesat e Brukselit, ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Qeveria e Maqedonisë thotë se nuk do të veprojë pa garanci se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Sofja. Ambasadori i BE-së, Mihaill Rokas, thotë se deklarata e Kostës ishte shumë e qartë.

“Presidenti Kosta ishte këtu, dha deklaratë dhe ishte mjaft i qartë. Të gjithë e dimë se angazhimet e marra në vitin 2022 duhet të zbatohen. Njëkohësisht ekziston përkushtim i madh që Maqedonia e Veriut të fillojë procesin e bisedimeve dhe nuk ka asnjë dyshim se vendi i përket familjes europiane. Po punojmë në mënyrë aktive që kushtet e nevojshme të përmbushen dhe të ecim përpara. Më e rëndësishmja është që ndërkohë të kemi besim dhe shpresoj që fqinjët tanë, së bashku me BE-në, të jenë konstruktivë në ditët dhe muajt në vijim.” – Mihaill Rokas, Ambasador i BE-së.

Këto qëndrime u theksuan në Konferencën e komisioneve parlamentare për integrim europian të vendeve që marrin pjesë në Procesin e stabilizim-asociimit në Europën Juglindore. /Alsat.mk

The post Milloshoski skeptik, BE-ja e prerë: Alternativë tjetër nuk ka appeared first on Alsat.