Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu vizitoi repartin e epidemiologjisë në Gostivar, ku gjithashtu mori vaksinën kundër gripit sezonal.
“Sot ndodhem në Gostivarin tim të lindjes dhe përmes shembullit personal dua të theksoj rëndësinë e vaksinimit në kohë, si masë më efektive parandaluese për mbrojtjen e shëndetit. Apeloj qytetarët, veçanërisht ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, të vaksinohen përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose tek mjeku i tyre amë,” tha ministri gjatë vizitës.
Në nivel shtetëror, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë për vaksinim kundër gripit sezonal, ndërsa vetëm në ditën e parë janë vaksinuar mbi dy mijë persona.
“Ky interes i madh tregon vetëdije për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi dhe konfirmon nevojën e kësaj mase parandaluese. Këtë vit, Ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur ‘Abot’ nga Holanda,” shtoi Aliu.
Vaksinimi falas përfshin grupet e rrezikut: personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe banorët dhe punonjësit e institucioneve sociale për të moshuar.