Ministri finlandez Strand në Shkup: Sundimi i ligjit mbetet prioritet

Shkup, 2 tetor – Ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Shkup ishte nikoqir i ministrit për Çështje Evropiane të Republikës së Finlandës, Joakim Strand, i cili po qëndron në vizitë pune në rajon. Takimi u zhvillua në kontekst të dialogut të vazhdueshëm në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Finlandës për integrimin evropian dhe proceset reformuese, me qëllim të përforcimit të partneritetit dypalësh dhe konfirmimin e përcaktimit strategjik për zgjerimin si politikë me interes të përbashkët.

Në qendër të bisedës tet a tet dhe të takimit plenarë të të dy delegacioneve ishin perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, implementimi i Agjendës reformuese dhe roli i Planit për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor si instrument për integrim ekonomik dhe konvergjencë socio-ekonomike. Bashkëbiseduesit konstatuan se kjo iniciativë, përmes pakos prej 6 miliardë euro dhe lidhjes së mbështetjes financiare me rezultate konkrete, hap kapitull të ri në politikën e zgjerimit dhe ofron përfitime reale për qytetarët edhe para antarësimit formal. Në këtë drejtim, u vlerësua se Agjenda reformuese paraqet udhërrëfyes të besueshëm (kredibil) për modernizimin e institucioneve, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në.

Ministri Murtezani u ndal në përfundimin e procesit të skriningut dhe gatishmërinë e vendit për të hapur klasterin e parë “Vlerat Fundamentale”, si hap thelbësorë për ndjekjen sistematike të progresit në reformat. Ai theksoi rëndësinë e qasjes së parashikueshme dhe meritokratike nga BE-ja si parakusht për ruajtjen e motivimit dhe besimit të qytetarëve në projektin evropian. Po ashtu, ai potencoi rolin e Maqedonisë së Veriut si partner i besueshëm (kredibil) i cili në mënyrë aktive kontribuon për stabilitetin rajonal dhe për avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Strand, nga ana e tij, shprehu bindjen se Maqedonia e Veriut me progresin e deritanishëm në reformat demonstron angazhimin serioz ndaj standardeve evropiane. Ai nënvizoi se Finlanda mbetet mbështetës konsekuent i politikës së zgjerimit të bazuar në merita dhe vlerësoi se reformat në sundimin e ligjit, demokracinë dhe efikasitetin institucional janë themelet mbi të cilat do të ndërtohet progresi i mëtejshëm. Strand gjithashtu u ndal edhe në dimensionin më të gjerë gjeopolitik të zgjerimit, duke theksuar se Ballkani Perëndimor i qëndrueshëm dhe i integruar është element thelbësorë për përforcimin e sigurisë dhe rezistencës së Bashkimit Evropian në përgjithësi.

Murtezani dhe Strand u dakorduan se partneriteti dhe aleanca në mes Maqedonisë së Veriut dhe Finlandës ka vlerë të shtuar të rëndësishme përmes formave konkrete të bashkëpunimit ekspert dhe teknik. Në këtë drejtim, u përshëndetën shtatë projektet Twinning të realizuara deri më tani me pjesëmarrjen e institucioneve finlandeze, në fushën e përmirësimit të menaxhimit me mjedisin jetësorë, efikasitetin administrativ dhe gatishmërinë për shfrytëzimin e fondeve evropiane. Perspektiva për projekte të reja në fushën e administratës publike, transformimit digjital dhe reformave mediatike u vlerësua nga ministrat si potencial i rëndësishëm për përforcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të Maqedonisë së Veriut.

Ministrat Murtezani dhe Strand së bashku shprehën bindjen se Maqedonia e Veriut dhe Finlanda ndajnë vizionin për zgjerimin si politikë strategjike e Bashkimit Evropian, e cila, përmes Planit për rritje dhe agjendave reformuese, e tejkalon kornizën tradicionale “teknike” të negociatave aderuese. Në takimet e sotme, zgjerimi u vlerësua si proces politik dhe ekonomik me interes të përbashkët, i cili sjell stabilitet dhe siguri për të gjithë kontinentin evropian, dhe me këtë duke përcjellë porosi të qartë se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor mbetet pjesë e pandashme e së ardhmes së Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.