Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka dhënë një deklaratë të përbashkët në Prishtinë me homologun e Kosovës, Glauk Konjufca. Gjatë fjalës së tij, Hoxha ka theksuar se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai bëri thirrje për pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ndër të tjera, Hoxha deklaroi se Shqipëria nuk do të pranojë e as do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve e institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të tyre.
“Ne në Tiranë nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndihet edhe Shqipëri, ashtu si çdo sukses dhe arritje e saj festohet njësoj edhe tek ne. Shqipëria nuk do të pranojë e as do të tolerojë ndonjëherë cënimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës, drejtësisë dhe llogaridhënies përballë çdo akti apo individi që përbën kërcënim ndaj saj. Sulmi në Banjska dhe në kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë. Kam ardhur këtu sot për të transmetuar atë që ka theksuar qartë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, deklaroi Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm i Shqipërisë./Alsat.mk.
The post Ministri i jashtëm i Shqipërisë Hoxha në vizitë zyrtare, zhvillon takime institucionale appeared first on Alsat.
