Ministri i Financave i Izraelit, i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ka shprehur keqardhje, për deklaratat e bëra për Arabinë Saudite.

Ai më herët kishte thënë se Arabia Saudite “mund të vazhdojë të kalërojë deve” nëse tenton të kërkojë një shtet të pavarur palestinez në këmbim të normalizimit të raporteve me Izraelin.

“Deklarata ime sa i përket Arabisë Saudite ishte për keqardhje dhe më vjen keq për çdo ofendim që mund të ketë shkaktuar”, tha Smotrich përmes një video-mesazhi të publikuar në X.

Por, ai shtoi se po ashtu pret që sauditët të mos e ofendojnë Izraelin.

“Nuk jam i gatshëm të pranoj hipokrizi. Ashtu si nuk kam ndërmend të ofendoj sauditët, pres prej tyre që të mos më ofendojnë, ose më saktë, të mos na ofendojnë”, tha ai.

“Dhe çdo kush që mohon lidhjen e gjallë dhe shumë të thellë që kemi me rajonet e atdheut tonë në Xhudea dhe Samaria, na ofendon”, shtoi ai, duke përdorur termin biblik që Izraeli përdor për Bregun e pushtuar Perëndimor.

The post Ministri izraelit shpreh keqardhje për deklaratat për Arabinë Saudite appeared first on Alsat.