Një ministër në Malajzi ka shkaktuar reagime të forta në rrjet, pasi pretendoi se stresi në punë është një nga faktorët kryesorë që i shtyn njerëzit të “përfshihen në komunitetin LGBTQ+”.

Dr. Zulkifli Hasan ka shkaktuar polemikë të gjerë pas deklaratave që lidhin stresin në punë dhe faktorët shoqërorë me atë që ai e përshkroi si mënyra e jetesës LGBT në vend, raporton media lokale.

Në një përgjigje me shkrim në parlament, Zulkifli citon një studim të vitit 2017 nga Sulaiman et al., duke thënë se disa elementë mund të ndikojnë në përfshirjen e individit në sjellje të lidhura me LGBT.

Sipas raportimeve në mediat e huaja, deklarata erdhi nga Dr. Zulkifli Hasan, Ministër në Departamentin e Kryeministrit për Çështjet Fetare, i cili e bëri këtë koment në një përgjigje me shkrim në parlament, gjatë një diskutimi për trendet e LGBTQ+ në vend.

Në përgjigjen e tij, ministri përmendi si “shkaqe” të asaj që ai e quajti “sjellje të lidhura me LGBTQ+”: ndikimin e shoqërisë, eksperiencat seksuale, stresin në punë, dhe mungesën e praktikës fetare.

Ai shtoi gjithashtu se gjatë periudhës 2022-2025 janë regjistruar 135 raste të lidhura me aktivitetet LGBTQ+, në formë arrestimesh apo procedimesh, duke kujtuar se marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks janë të paligjshme në Malajzi.

Komentet e ministrit u pritën me habi nga shumë qytetarë në rrjetet sociale. Disa përdorues e ironizuan duke pyetur me sarkazëm nëse ministri “punon fort në parlament”, pasi sipas tyre ai “nuk paska ndryshuar”.