Një mospërputhje e re në deklaratat e drejtuesve të institucioneve kryesore financiare në vend ka dalë në pah lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë, përcjell TV21. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, kishte deklaruar ditë më parë se, ndonëse institucioni që drejton është i pavarur, ai kishte zhvilluar bisedime edhe me përfaqësues të Qeverisë për interesimin e Alta Bankës për blerjen e Stopanska Bankës në Manastir.
Por ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, thotë se as ajo personalisht dhe as Ministria që drejton nuk janë konsultuar për këtë çështje. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë komunikim me guvernatorin lidhur me hyrjen e bankës në tregun e Maqedonisë. Ajo thekson se Ministria nuk ka qenë në dijeni as për negociatat dhe as për interesimin e blerësve të tjerë potencialë.
Madje, ministrja pranon se për zhvillimet e fundit rreth Alta Bankës në Manastir është informuar kryesisht përmes mediave.
Pavarësisht kësaj, Dimitrieska-Koçoska nuk pret që rasti të ndikojë në stabilitetin e sistemit bankar, duke vlerësuar se banka ka pjesëmarrje të vogël në sektorin e përgjithshëm bankar. Ajo u bëri thirrje depozituesve të mos shqetësohen për kursimet e tyre. Ministrja njoftoi gjithashtu se gjatë ditës do të zhvillojë një takim me guvernatorin Sllaveski, në përpjekje për të diskutuar zhvillimet rreth këtij rasti.
