Minjtë po shëtisin në ambientet e shkollës fillore “Panajot Ginovski” komuna e Butelit, Shkup. Shumica e prindërve të shqetësuar, rastin e paraqitën në TV21 dhe thonë se kanë vendosur që fëmijët të mos i çojnë në mësim. Ekipi ynë shkoi vizitoi shkollën për të parë se a po zhvillohet procesi mësimor. Aty takuam disa prindër që me ftesë të arsimtarëve erdhën për të marrë fëmijët.

Për këtë situatë serioze drejtoresha e shkollës Blagorodna Sotirov edhe pas shumë thirrjeve tona telefonike dhe porosive, zgjodhi të hesht. Ekipi ynë nuk u lejua që të hyjë brenda as për të marrë pamje të shkollës.

“Çfarë po ndodh në Sh.F. “Panajot Ginovski” në komunë të Butelit? TV21 tentoi të futet brenda dhe të shoh a po zhvillohet procesi mësimor edhe për të parë situatën, për shkak të videove shqetësuese me minjtë por të punësuarit këtu nuk na lejuan të hyjmë brenda dhe të marrim të paktën disa pamje”, raporton Alemdina Ismajli – gazetare e TV21.

Meqë drejtoresha nuk u prononcua e kërkuam kryetarin e komunës, Darko Kostovski. Ai na tha se nesër do të realizohet dezinfektim i objektit dhe nxënësit do të kthehen në mësim të rregullt.

“Apeloj mos të bëhet panik. Së pari t’iu informoj se 30.08.2024 praktikisht para fillimit të vitit shkollor është bërë dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim. Është spërkatur në shkollë në përputhje me gjitha procedurat. Sot kjo dukuri befasoi me çka reaguam si komunë dhe shkollë. Do të bëhet spërkatje e çrregullt. Gjithashtu është njoftuar edhe QSHP. Ata do të vijnë nesër në shkollë, kështu që besoj që shumë shpejt s’do të ketë asnjë problem dhe mësimi do të vazhdojë pa ndërprerë”, u shpreh Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.

Kjo ngjarje ka nxitur diskutime rreth menaxhimit të kushteve higjienike në këtë institucion arsimor. Prindërit që paraqitën rastin, u ankuan për higjienën e dobët në këtë institucion arsimor.