Kompania amerikane SpaceX ka realizuar një tjetër mision hapësinor në bashkëpunim me Forcat Hapësinore të Shteteve të Bashkuara, duke lëshuar një raketë Falcon 9 me ngarkesë të klasifikuar ushtarake.
Misioni, i emërtuar USSF-266, u nis nga baza Vandenberg në Kaliforni, të martën, në orën 08:08 sipas kohës lokale.
Detajet për ngarkesën që transportonte raketa nuk janë bërë publike, pasi bëhet fjalë për një mision ushtarak të klasifikuar.
Ky ishte fluturimi i 29-të për përforcuesin e fazës së parë të raketës Falcon 9, i cili më parë ishte përdorur në misione të ndryshme qeveritare dhe komerciale, si dhe për vendosjen e satelitëve Starlink.
Pas ndarjes nga faza e dytë, përforcuesi pritej të rikthehej në Tokë dhe të ulej në platformën autonome lundruese “Of Course I Still Love You”, e pozicionuar në Oqeanin Paqësor.
Ndërkohë, autoritetet paralajmëruan banorët e disa qarqeve në Kaliforni për mundësinë e dëgjimit të një bumi sonik gjatë rikthimit të raketës në atmosferë.
